Një gazetar investigativ rus, i cili kishte shkruar për vdekjen e mercenarëve në Siri, ka vdekur në spital pasi ka rënë nga kati i pestë ku banonte.
Sipas asaj që shkruan BBC, Maxim Borodin u gjet i plagosur rëndë nga fqinjët në Jekaterinburg dhe u dërgua në spital, ku më vonë vdiq.
Zyrtarët lokalë thanë se nuk u gjet asnjë shënim vetëvrasës, por incidenti nuk ka gjasa të jetë me natyrë kriminale.
Megjithatë, një mik i tij zbuloi se Borodin kishe thënë se banesa e tij kishte qenë e rrethuar nga agjentë të sigurisë një ditë më parë.
Vyacheslav Bashkov e përshkroi Borodin si një “gazetar parimor dhe të ndershëm” dhe tha se Borodin e kishte kontaktuar atë në orën pesë të mëngjesit më 11 prill duke thënë se kishte “dikë me armë në ballkon e tij dhe njerëz me maska te shkallët”.
Borodini kishte kërkuar një avokat, shpjegoi ai, edhe pse më vonë e telefonoi përsëri duke thënë se ai kishte gabuar dhe se agjentët e sigurisë kishin marrë pjesë në një lloj stërvitjeje.
Pasi u gjet i plagosur rëndë në oborrin e ndërtesës të enjten, autoritetet rajonale thanë se dera e banesës së tij ishte mbyllur nga brenda, duke treguar se askush tjetër nuk kishte hyrë ose kishte dalë nga banesa.
Kryeredaktorja e Novy Den, ku punoi Borodin para se të vdiste, tha se ajo nuk mund të përjashtonte se bëhej fjalë për një krim, duke shtuar se nuk kishte asnjë arsye për ta vrarë veten.
Harlem Désir përfaqësues i organizatës ndërkombëtare të monitorimit OSBE tha se vdekja ishte seriozisht shqetësuese dhe bëri thirrje për një hetim tërësor./tvklan.al