DURRES – Një 20 vjeçare nga Durrës, Fatjona Murtati, ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme rreth orës 19.00 në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Vajza e re ishte paraqitur mëngjesin e sotëm pranë spitalit të Durrësit dhe mjekët kishin konstatuar se 20 vjeçarja paraqiste shenjat e helmimit. Pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin rajonal të qytetit ajo është dërguar për trajtim më të specializuar në Spitalin Ushtarak.
Por duket se gjendja e vajzës së re ka qenë mjaft e rëndë e për pasojë ajo ka humbur jetën mbrëmjen e sotme. Policia e Durrësit që po heton rastin në fjalë bënë të ditur se dyshohet se vajza e re është vethelmuar me fostoksinë. Gjithsesi policia po punon ende për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike dhe shkaqet që mund ta kenë çuar Fatjona Murtatin t’i japë fund jetës.





