Një 74-vjeçar ka humbur jetën ditën e sotme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërkohë që ishte ndaluar nga policia për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik” (neni 236/2 i Kodit Penal). Namik Paja, banor i Beratit, ishte arrestuar disa ditë më parë dhe ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në paraburgim.
Njoftimi:
Sot, më datë 9 dhjetor 2024, në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ka ndërruar jetë shtetasi Namik Bexhet Paja, lindur më 5 janar 1951, banues në Berat. Ky shtetas ishte i dënuar me vendim gjykate për masën “shtrim i përkohshëm” për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik” (neni 236/2 i Kodit Penal).
Paja vuante nga disa probleme serioze shëndetësore, përfshirë:
- Çrregullim Bipolar Tip 1
- Insufiçiencë kardiake dhe Sindrom Iskemik i Zemrës
- Hipertension arterial (stad II-III)
- Çrregullime psikotike
- Hernje umbilikale e diagnostikuar më herët.
Gjatë qëndrimit të tij në institucion, shtetasi Paja është shtruar tri herë në Qendrën Shëndetësore të Burgut dhe është trajtuar me mjekimin e duhur për gjendjen e tij shëndetësore.
Ngjarja është raportuar menjëherë tek organet kompetente, përfshirë Prokurorinë, SHKBB dhe Policinë e Shtetit, të cilat po kryejnë veprimet procedurale në përputhje me ligjin.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ngushëllon familjen për hunbjen e njeriut të tyre.