KAVAJE, 16 mars 2013 – Ka ndërruar jetë paraditen e sotme një prej personave që mori pjesë në protestën e zhvilluar para komisariatit të Kavajës, 6 ditë më parë, për lirimin e kreut të Bashkisë, Elvis Roshi. Ruzhdi Aliu, 47 vjeç, ka ndërruar jetë sot rreth orës 11:45 minuta.

Sipas kandidatit të PS-së në Kavajë, Parid Cara, Aliu ishte pjesë e protestës së zhvilluar për lirimin e kryebashkiakut Elvis Roshi dhe u dhunua nga policia. Në faqen e tij në rrjetin social Facebook, Cara ka njoftuar dhe anulimin e aktiviteteve politike gjatë ditës së sotme.

“Njoftoj të rinjtë e qytetit të Kavajës se festa që ishte planifikuar për sot anulohet, për arsye se sapo është ndarë nga jeta Ruzhdi Aliu, një nga protestuesit të cilët u arrestuan dhe dhunuan para komisariatit të Kavajes, gjatë protestës për lirimin e kryebashkiakut Elvis Rroshi”, shprehet Cara.

 

Komisariati: Ka vdekur nga një atak kardiak

Ndërsa kandidati për deputet Parid Cara akuzon policinë pë vdekjen e Ruzhdi Aliut, Komisariati i policisë së Kavajës konfirmon se shtetasi Rruzhdi Aliu, 47 vjeç ka gjetur vdekjen tek shinat e trenit dhe dyshohet se shkak për këtë është bërë ataku kardiak. Së bashku me Aliun në momentin që ka humbur jetën ka qenë dhe një i ri rom, me të cilin kishte dalë të mblidhte kanaçe. 

“Ai u sëmur papritur dhe u rrëzua”, ishte dëshmia e dhënë nga i riu rom për policinë e Kavajës.