LEZHE, 9 korrik 2013 – Një 22-vjeçare shtatzënë ka humbur jetën në spitalin e Lezhës, ku u paraqit me probleme të rënda kardiake. Mësohet se Lorena Imeri, nga fshati Shullaz i Kurbinit, ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë dhe kishte shkuar për të lindur në spital, por ka humbur jetën përpara se të sillte në jetë foshnjën e saj. 

Familjarët tregojnë se e kanë çuar me urgjencë vajzën fillimisht në spitalin e Laçit, por aty nuk kishte mjekë të specializuar dhe për këtë arsye janë detyruar ta dërgojnë në Maternitetin e Lezhës. 

Mësohet se 22-vjeçarja është paraqitur në spitalin e Lezhës rreth mesnatës, dhe ka humbur jetën një orë më pas. Fatkeqësisht as foshnja nuk ka mundur të mbijetojë. 

Ndërkohë, drejtori i maternitetit të Lezhës, Llesh Marku bëri të ditur se pacientja ishte paraqitur në spital me probleme kardiake, të cilat duket se nuk ishin zbuluar më parë, pasi 22-vjeçarja nuk kishte me vetë një kartelë vizitash. 

Xhaxhai i vajzës tregon se mjekët u kishin thënë se vajza ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa shpëtimi i saj ishte i pamundur. 

Familjarët e 22-vjeçares akuzojnë mjekët për neglizhencë, ndërsa po presin tërheqjen e trupit nga morgu i spitalit. Fillimisht do të pritet ekspertiza mjekoligjore që do të përcaktojë edhe shkaqet e vdekjes së Lorenës dhe foshnjës së saj, ndërsa familjarët akuzojnë mjekët se po vonojnë tërheqjen e trupit nga morgu. 

Ata protestojnë para morgut të spitalit, duke kërkuar tërheqjen e kufomës, pasi kanë caktuar ceremoninë funebre për në orën 16:00. “Orari i varrimit po afron, mjekët ende s’kanë ardhur për ekspertizën mjeko-ligjore.”- shprehen familjarët.