Sonte është nata e tretë dhe e fundit, kur vepra “Vdes siç vdes një vend” e autorit grek Dimitris Dimitriadis, do të luhet me mjeshtëri nga një kast i mrekullueshëm aktorësh në teatrin "Aleksandër Moisiu".
Me regji të Rozi Kostanit dhe aktorë kryesorë Alfred Trebickën e Rozi Kostanin, e cila mban dy role njëkohësisht, atë të regjisores dhe aktores, “Vdes siç vdes një vend” është vepra që e kurorëzoi Dimitris Dimitriadis si një nga autorët më të spikatur të letersisë dhe teatrit bashkëkohor. Ajo është botuar në shqip nga Shtëpia Botuese Zenit, në përkthim të Eleana Zhakos.
“Vdes siç vdes një vend” është psikoanaliza letrare e një vendi që dekompozohet ngadalë, rrëfimi tronditës i një gruaje real-imagjinare, që shikon me tmerr sesi trupi i saj merr përmasat e vendit të kalbëzuar dhe si përthahet çdo burim nga rrjedhin lëngjet e saj jetësore. Rrëfimi ka formën e një kronike postmoderne ku me një vërtetësi rrënqethëse dhe në mënyrë fantazmagorike përshkruhet Vendi i Hybris, demonit të dhunës dhe intolerancës, i fanatizmit ideologjik dhe fetar, i mendësisë mesjetare, korruptive, ksenofobike, nacionaliste, i shterpësisë krijuese dhe shpirtërore. Ndonëse në tekst nuk përcaktohet koha, vendi dhe hapësira gjeografike, aludimi rreth periudhës së luftës civile greke, asaj të diktaturës së kolonelëve, si dhe jehona e ngjarjeve te Majit ’68 në Francë lidhet me botimin e parë të librit në vitin 1978, ku kujtimet dhe plagët e historisë, gjallonin ende si fantazma të pakallura.
Sjellja e veprës në shqip synon të eksperimentojë me një terren të njohur për lexuesin shqiptar. “Vdes siç vdes një vend” është dhe parabola shqiptare e një vendi ku shtetrrethimi i gjatë komunist dhe ngjarjet e ’97-ës nuk i përkasin një filmi bardhë e zi të së kaluarës, por vazhdojnë të kërkojnë një autor për tu ngjitur në skenën e “teatrit të maskave”.
Ajo që Dimitriadis përshkruan si “Mesjeta e Mitrës”, në kontekstin shqiptar mund të përshkruhet si “Mesjeta Shqiptare”: bunkerizimi i truve të njerëzve, karrige elektrike që varen në ajër mbi kokat e njerëzve, që kanë vetëm dy emra “miq” dhe “armiq të popullit”, tufëzimi i njerëzve në kooperativa financiare piramidale, çetëzimi i njerëzve sipas parrullës “vetë zot, vetë shkop”, kallashnikovizimi i tyre deri në dhëmbë, politikanë të krimbur në para, kanonizim i fjalës “plumb qorr”, jetë për dhjam qeni, “Shqipëria e kontradiktës, e luftës, e erresirës, mashtrimit, ahengut dhe biznesit”.
Njeriu – vend i Dimitriadis zbret ne Hadin e skutave më të errëta të psikikës njerëzore dhe na sjell një rrëfim nga ferri i të gjallëve. Nëse për Sartrin “Ferri janë të tjerët”, për Dimitriadis edhe “Parajsa janë të tjerët”. Nëse një vend është pre e grykësisë së politikanëve të saj makbethianë, nëse flijon trupat e arsyes, vetënjohjes, lirisë, artin e të jetuarit, të të krijuarit, të njohjes dhe pranimit të tjetrit për të ndërtuar kështjella paranojake, ai është i destinuar “të jetojë nën dritën e një ylli të vdekur”.
Teatri “Aleksandër Moisiu”: 29-30 shtator – 1 tetor, ora 19:00
Vdes siç vdes një vend/Dimitris Dimitriadis
Përktheu: Eleana Zhako
Regjia: Rozi Kostani
As. Regji. Iris Canaj
As. Regji. Kleard Germenji
Skena&Kostumet: Desantila Lika
Aktorë kryesorë: Alfred Trebicka, Rozi Kostani
Aktorë të tjerë: Violeta Trebicka, Ina Morinaj, Benada Mulla,
Silvio Goskova, Lejda Celi, Artan Skenderasi, Kesina Lami, Arild Stafa, Jona Hoxha, Armando Mehmeti
Video Barraka Production
Fotografia: Edvina Meta