Një 52 vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë në spitalin e Peskaras, në Itali mbrëmjen e së hënës.

Mediet lokale të vendit fqinjë raportojnë se shqiptari pësoi një aksident në punë.

Mësohet se viktima është Nevruz Hysenaj, 52-vjeç, i cili u plagos rëndë, ndërsa po punonte tokën. Ai u dëmtua nga makineria korrëse në Solvigno di Popoli (Peskara), gjatë paradites së të shtunës. Hysenaj, i cili jetonte në Solvigno di Popoli prej vitesh, ishte duke punuar në një tokë bujqësore, kur këmbët e tij janë dëmtuar rëndë nga freza. 

Ai u transportua me urgjencë në spital, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për prerjen e këmbëve, por mbrëmë gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe nuk arriti të mbijetojë. Nevruz Hysenaj ishte i martuar dhe kishte një vajzë.