Ka ndërruar jetë turisti italian që kishte pësuar traumë të rëndë në kokë pak ditë më parë, gjatë kohës që po udhëtonte me një anije turistike ndërsa kalonte në ujërat shqiptare.

Për shkak të dëmtimeve 33-vjeçari Matteo Sartori, nga Padova, u dërgua fillimisht në spitalin e Durrësit për kurim e më pas në spitalin e Tiranës.

Më tej ai është transportuar për në Itali në një spital italian në Padova, ku pas gjashtë ditësh nga incidenti ai ndërroi jetë.

Ngjarja

Të premten më datë 6 shtator në orën 22:40, Kapitaneria e Portit Durrës mori thirrjen për ndihmë nga krociera MSC Magnifica rreth 20 milje larg nga Durrësi. Një pasagjer kishte pësuar traumë të rëndë në kokë nga përplasja dhe kërkohej zbarkimi i tij i menjëhershëm për ndihmë mjekësore të specializuar.

I sëmuri ndodhej në gjendje të rënduar dhe gjatë udhëtimit për në port u mbajt me maskë oksigjeni dhe serum. Matteo Sartori po udhëtonte me të fejuarën znj.Sonia Marcato.

Në orën 00:40, rimorkiatori mbërriti në port dhe i sëmuri u zhvendos në ambulancën e Spitalit të Durrësit, e cila e priste në kalatë. U njoftuan autoritetet përkatëse dhe shtetasi italian u nis drejt spitalit për t’i dhënë ndihmën e specializuar mjekësore.