SHBA, 05 mars 2013 – Ushtari amerikan që arrestoi kryeministrin japonez, gjeneralin Hideki Tojo, për ta vënë përballë akuzave për krime lufte në fund të Luftës së Dytë Botërore, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare. 

John Wilpers ishte anëtari i fundit i mbijetuar i skuadrës që kapi liderin japonez më 11 shtator të vitit 1945. 

Tojo sapo kishte qëlluar veten në tentativë për vetëvrasje, kur pesë ushtarët amerikanë mbërritën në shtëpinë e tij. Wilpers konsiderohet si njeriu që e mbajti atë gjallë. 

Wilpers vdiq të enjten e kaluar në një klinikë në Garret Park të Merilendit. Vonë gjatë jetës së tij, ushtria amerikane i njohu atributin për kapjen e gjeneralit japonez. 

Ai u nderua me Yllin e Bronzit në vitin 2010, në moshën 90-vjeçare. Veterani nuk ka folur kurrë në publik për operacionin, derisa mori medaljen ushtarake. 

“Ai ishte tej mase krenar për atë që kishte bërë, por nuk mburrej për këtë”, i biri John Wilpers tregoi për “Associatet Press”. 

Wilpers lindi në Albani, në Nju Jork, në vitin 1919 dhe u rrit në qytetin e afërt Saratoga Springs. Ai ishte vetëm 25 vjeç kur kreu misionin në fjalë. 

Pasi u anëtarësua në Trupat Ushtarake Ajrore në vitin 1942, ai u transferua në një njësi kundër-spiunazhi dhe ishte mes trupave të para që hynë në Japoni pas rrethimit që i dha fund Luftës së Dytë Botërore. 

Sipas ushtrisë amerikane, Wilpers dhe skuadra e tij mundën të lokalizonin gjeneralin Tojo brenda 24 orëve që nga marrja e detyrës, pas një informacioni të publikuar në një gazetë të Tokios për vendndodhjen e tij në periferi të Tokios. 

Lideri japonez mbijetoi dhe u dërgua në gjyq, ku u dënua si një kriminel i Klasit A dhe u ekzekutua në vitin 1948 me varje. Më vonë, Wilpers punoi 33 vjet për CIA-n dhe u tërhoq nga ushtria amerikane në vitin 1979 me gradën e kolonelit.