“Jeta nuk është kështu! Fëmijët duhet t’i kesh aty dhe punën ta kenë që në darkë të bashkohena. Veç me telefona kemi ngel”.
Ky është konstatimi i trishtë i moshës së tretë, e detyruar që vitet e pleqërisë t’i kalojë në vetmi, pasi fëmijët janë larguar në emigracion.
Në Shënavlash, një nga fshatrat më të bukur të Durrësit, shumë vila të ndërtuara vitet e fundit janë të pabanuara. Me kamerën e “DurrësLajm” ishim në këtë fshat, ku gjallëria mungon dhe shumë pak njerëz has nëpër rrugë dhe bizneset e vogla, që mezi mbijetojnë në këto kohë të vështira për ta.
“Më pak të rinj, sepse mosha e mesme dhe të moshuarit këtu janë. Largimet e familjeve janë të pakta, sepse na jep pak dorë qyteti, që jemi afër”,– thotë Azem Plaku, kryeplak i fshatit.
“Ka ik rinia, kanë mbetur vetëm pleqtë. kur janë dy është mirë, por kur ka mbet vetëm një është vaj medet”, shton një grua që vajzën dhe djalin i ka në emigracion.
Largimi në masë i të rinjve sjell për pasojë më pak fuqi punëtore për t’u marrë me punët e fshatit. Vite më parë, shumë nga familjet siguronin jetesën me produktet bujqësore dhe blegtorale që prodhonin vetë, por tani kjo perspektivë duket e zymtë.
Vetëm 7 km larg Durrësit, ky fshat në vetvete ka resurse të shumta, por që mbeten të pashfrytëzuara për shkak të emigracionit masiv të fuqisë punëtore të aftë për punë.
M.B.