18 janar 2015 – Këngëtari i njohur Vedat Ademi nuk i përjashton dot baladat nga repertori i tij muzikor, ndaj edhe sa herë bëhet fjalë për të, këngëtari i baladave është emri që i shkon më së shumti. Pas suksesit të baladës së fundit në “Këngën Magjike”, ku Vedati fitoi edhe çmimin e dytë me këngën "Asgjë njësoj", është koha për një baladë tjetër dashurie në prag të Shën Valentinit.
Prej disa ditësh, këngëtari ndodhet në Kanada për koncerte, por edhe për të xhiruar një pjesë të videoklipit që do të vijë së shpejti në tregun muzikor. Në profilin e tij në Facebook, Vedati ka postuar disa foto nga vendet e mrekullueshme të Kanadasë, bashkë me disa copëza të klipit, i cili, siç thotë vetë ai, do të vijë në prag të festës së të dashuruarve.
“Natyrë e mrekullueshme… Xhirime, këngë e re po vjen, ndërkohë që Shën Valentini po afron. Sigurisht, nuk kisha si t’ju lija pa një këngë dashurie”,- ka shkruar Vedati në Facebook.





