Nga Liria e Prizrenit, te Besa e Kavajës dhe më pas te Teuta e Durrësit. Kjo është nisja e karrierës së Vedat Muriqit, sulmuesit të Mallorcas që dje i dha tri pikë të tijve kundër gjigantëve të Realit të Madridit në La Liga të Spanjës. Në minutën e 91-të të sfidës, ‘Pirati’ bëri që festa të ‘shpërthente’ te tifozët vendas, ndërsa goli kishte një peshë shumë të madhe për ‘Galaktikët’ të cilët janë shtatë pikë pas Barcelonës kryesuese. Muriqi është mësuar t’i shënojë Real Madridit, pasi ky ishte goli i katërt që sulmuesi i Kosovës i shënon një prej klubeve më të mëdha të botës.

Festa solli edhe lot, teksa Muriqi shpjegoi pas ndeshjes se ka qenë një periudhë shumë e vështirë për të, e cila kulmoi me eliminimin e Kosovës në finalen play-off të Kupës së Botës nga Turqia, ndeshje në të cilën sulmuesi luajti 90 minuta. “Lotët? Po, sepse kam kaluar dy javë shumë të vështira. Edhe pse nga jashtë dukem shumë i shëmtuar dhe i ashpër, jam gjithashtu njeri dhe ndonjëherë emocionet dhe nervat më lënë”, pranoi ai, duke reflektuar mbi një gol që e çoi numrin e tij të realizimeve gjatë këtij sezoni në 19-të. “Vij nga humbja e një penalltie në minutën e 92-të (kundër Elches), pastaj humbja e një finaleje për të shkuar në Kupën e Botës 2026 dhe për të përmbushur ëndrrën më të madhe të jetës sime.

Këtu ishim 1-0 dhe barazimi erdhi në të 88-ën nga Reali dhe papritmas, një gol, një gol i shkëlqyer, fitore 2-1, me golin tim…” shpjegoi ai. Vedat Muriqi ka shënuar 53 gola me fanellën e Mallorcas, duke qenë vetëm një gol pas për të barazuar golashënuesin më të madh në historinë e këtij klubi, Samuel Eto’o (54 gola). Vetëm Harry Kane, Kylian Mbappe dhe Erling Haaland kanë shënuar më shumë gola se Vedat Muriqi në 5 ligat kryesore në Evropë. ‘Pirati’ dardan ka shënuar 19 gola në La Liga. Sezoni më i mirë në karrierën e tij.