Kandidati i PS për Tiranën, Erjon Veliaj, deklaroi në emisionin “Opinion” se 7 lotet e unazës së Tiranës do të përfundojnë deri në fund të vitit 2024.
Ai pohoi se vetëm në semaforin e Laprakës koha e pritjes është reduktuar nga 45 minuta në 3-4 minuta.
“Sot jemi duke punuar në 7 akse të tjera të Unazës së Madhe. Ka mbërritur deri tek rrethrrotullimi i Shkozës, nëse doni të shikoni shumë pemë të mbjella ju ftoj të shkoni nga Materniteti i Ri dhe ta ndiqni këtë rrugëtim. Ajo që jam duke thënë është që po të shikojmë sesi është zgjatur këtu, nga Materniteti i Ri dhe si është rritur vlera e pronës, se ajo që ne harrojmë është, ku ka kaluar unaza, ka kërcyer edhe vlera e pronës. Sot ata që penguan Astirin 3 vjet me gishta përpjetë, para se të hiqnin një gisht, sot duhet të kërkojnë ndjesë se u bllokua një projekt shumë i rëndësishëm. Tani jemi në një situatë, isha përpara disa ditësh me Belindën, këtu është Kodra e Kokonozëve me Kodrën e Priftit, ky është loti ku punohet tani, është loti tjetër që na çon në një tjetër aks të hyrjes në Tiranë që është “Rruga e Arbrit” dhe prandaj janë mbjellë pemë edhe në Zall-Bastar, se sot në Zall-Bastar shkohet për 30 minuta, ndërkohë që më përpara Zall-Bastari mendohej që ishte fundi i botës. Sot me “Rrugën e Arbrit”, ti ke akes në malësinë e Tiranës që nuk e kishe më përpara, në Zall-Bastar dhe Zall-Dajt. Këtu jemi në Tufinë, po të shikoni është edhe gjurma e varrezave. Në Tufinë, kalon në anën tjetër, pra tek “5 maji” ose te bregu i lumit, kalon në anën tjetër të Paskuqanit. Sot mund t’ju them që të 7 lotet janë në funksion dhe unë besoj që deri në fund të vitit tjetër i kemi mbaruar të 7 lotet. Kujdes! Duke presupozuar që politika me 2 gishtat përpjetë nuk e bllokon si Astiri”, tha Veliaj.