Kulla e Sahatit në Tiranë tanimë do të mund të vizitohet kundrejt pagesës.

Vendimi i propozuar për Këshillin Bashkiak parashikon që hyrja në Kullën dhe në Muzeun e Sahatit, një nga simbolet më të rëndësishme dhe identifikuese të kryeqytetit shqiptar do të kushtojë 200 lekë (tarifa e përbashkët për të dyja), shifër e cila rezulton të jetë e përafërt me vlerën e prodhimit.

Më herët, si Kulla ashtu edhe Muzeu nuk kanë qenë në gjendje të vizitueshme. Agjencitë turistike, gjatë shoqërimit të grupeve të turistëve, shmangnin shpeshherë vizitat për shkak të amortizimit të madh.

Vizitat në to nuk kanë qenë me pagesë. Bashkia sugjeron që vendosja e kësaj tarife do të shërbejë për: valorizimin e objekteve me vlera kulturore dhe historike duke i ofruar kryeqytetit marketing cilësor për trashëgiminë kulturore dhe historike; shtimin e të ardhurave për mirëmbajtjen e këtyre atraksioneve të qytetit.