Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i pranishëm sot gjatë aksionit të gjelbërimit nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ka premtuar mbjelljen e 2 milionë pemëve të tjera në kryeqytet. Veliaj u shpreh i bindur se në vitet në vijim, Bashkia e Tiranës do të kontribuojë fuqishëm në gjelbërimin e vendit.

“Ambicja jonë nisi dy vitet e para me nga 100 mijë pemë në vit. Duam që brenda 2030-s në Tiranë të jenë mbjellë 2 milionë pemë, si një mënyrë për të kompesuar 200 mijë makina që sot ka Tirana, në atë që ne e quajmë “Pylli Orbital”. Kryesisht prek zona rurale, pra në periferi të Tiranës, edhe për të shenjuar një llojë distance midis pjesës urbane dhe pjesës bujqësore rurale, ama një lloj akupunkture po ndodh në të gjitha mini-parqet e Tiranës”, tha kryebashkiaku.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi kontributin e studentëve dhe stafit akademik të fakultetit që iu bashkuan nismës së Pyllit Orbital.