Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka deklaruar se në Tiranë pritet të fitoj me dhjetëra mijëra vota diferencë.

Në një intervistë për “Euronews Albania” Veliaj nënvizoi se nga të dhënat të gjithë mbështetësit e majtë kanë votuar duke sjellë dhe një rezultat pozitiv.

“Nga ne rezulton që njerëzit tanë mbështesin kauzat tona, njerëzit mbështesin forcën tonë dhe një Tiranë që ecën përpara. Ata kanë dalë të gjithë në votime. Ne gjithmonë kishim dijeni dhe nga sondazhet dhe nga fokus – grupe që siç është Saliu non grata nga amerikanët, është Ilir Meta non grata nga demokratët. Ky lloj shartimi pa logjikë dhe fyes për inteligjencën e atyre që kanë rrëzuar komunizmin alergjia që ka krijuar te demokratët. Ne në Vorë morëm të njëjtat numra. Kam përshtypjen me t’u shtuar edhe dy qendrat e votimit që nuk ishin reflektuar në rezultat, ne do të kapim 9-mijëshen tonë. Na rezulton se në të gjithë territorin, sidomos në Tiranë që e mbuloj unë, përfshirë edhe bashkitë e Tiranës, njerëzit tanë kanë dalë në votime. Ne parashikojmë në Tiranë një fitore me disa dhjetëra mijëra vota diferencë. Megjithatë nuk e shohim këtë si triumf. Nesër thirrja e parë pasi të ketë mbaruar rezultati do të jetë që gjithë kandidatët të bashkëpunojnë, të gjithë qyteti të përdorë idetë më të mira të kësaj fushat. Tirana do të jetë disa dhjetëra mijëra vota diferencë dhe me të mbyllur këtë do të themi: Faleminderit të gjithëve, të përveshim mëngët, të ecim përpara dhe t’i shërbejmë të gjithëve”, deklaroi Veliaj.