Pasi u shërua nga COVID-i, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka rrëfyer për Report Tv betejën e tij 14 ditore me këtë virus. 

Ai ka sqaruar se ka qëndruar në karantinë për 14 ditë në shtëpi, dhe kurrsesi nuk ka qenë për mjekim të specializuar në Turqi apo në Itali. Veliaj ka treguar se ka qenë Kajan, djali i vogël i cili ka shfaqur i pari simptoma të koronavirusit, si temperaturë të lartë 38 gradë për 2 ditë rresht.

“Nuk kam shkuar as në Turqi, aq në Itali. E di që kundërshtarët po gjejnë diku që të kapen, nuk jam kryetar bashkie që ka shtëpi në Hollandë, që për 6 muaj kap 4 vila. As kryetar bashkie që vë gjobë, jam një kryebashkiak që punoj më shumë dashuri. Nëse kundërshtarët kanë një alternativë më të mirë, meqë po afrojnë zgjedhjet, bujrum, por me rrena dhe sajesa, nëse isha duke vdekur dje në Turqi, s’mund të isha këtu fizikisht. Kështu për të gjithë ata, i mëshiroj, i kam falur. Ishin takime jashtë pune. Asnjë nga kabineti i punës nuk rezultoi pozitiv, kështu që unë isha i vetmi. Ne e kaluam të gjithë në shtëpi, fillimisht u sëmurë djali, me temperaturë 38, menduam se kishte dhëmballë, më pas hetimi epidemiologjik tregoi që kishte kaluar ai COVID, bashkëshortja dhe pastaj unë. Dhe u futa në karantinë. Ishin dy javë sfiduese, nuk ia uroj as armikut më të madh. Kam pasur 10 ditët e para që më dhimbte çdo kockë, muskul, i pafuqishëm për të shkuar dhe në tualet. E kam parë veten gjithmonë shumë fizik, ishte shumë dekurajuese”, tha Veliaj.