Pas performancës së shkëlqyer mbrëmjen e dy ditëve më parë në sheshin “Skënderbej”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka dhuruar ‘Çelësin e Tiranës’ këngëtares së njohur me origjinë shqiptare, Eleni Foureira.

“‘Çelësi i Tiranës’ është për njerëz shumë, shumë të veçantë, një mënyrë për të treguar se për miqtë tanë dyert e qytetit janë gjithmonë të hapura. Ti je pjesë e familjes tonë dhe ne jemi shumë krenarë për atë çka ti bën, jo vetëm si artiste e madhe, por njëkohësisht si njeri shumë i mirë”, u shpreh Veliaj.

Këngëtarja Foureira u shpreh e lumtur për këtë vlerësim, ndërsa theksoi se ndihej krenare që ishte shqiptare.

“Faleminderit shumë! Jam shumë e lumtur, pasi gjithmonë jam ndjerë krenare për faktin e të qenit shqiptare dhe jam shumë e lumtur dhe krenare që ndihem kështu. Shumë faleminderit për këtë. Gjyshja ime që ndodhet tani në Vlorë, do ndihet shumë e lumtur! Edhe unë jam shumë e lumtur që ju kam bërë krenarë dhe gjithmonë do mundohem t’ju bëj ju (Shqipërinë), Greqinë dhe Qipron, të 3 vendet e mia, krenarë”, tha këngëtarja Foureira.