Duke e cilësuar si postimin e fundit këtë replikë ndaj kryeministrit Edi Rama, gazetari Blendi Fevziu ka rreshtuar disa nga rastet kur sipas tij, ministrat apo personazhe të tjera me peshë të Partisë Socialiste kanë shmangur ‘llogaridhënien’ para shtypit.

Ai i qëndron deklaratave të tij fillestare, pasi sipas tij ka ndodhur jo pak herë, që ministrat “bëjnë muhabet me në televizion me drejtorët” dhe nuk kanë kurajo të përgjigjen mbi problematikat.

“Kryeministri i Shqipërisë ka vazhduar diskutimin për problemin e PR-së së ministrave të tij. E para, po them që ky është postimi i fundit për këtë çështje, sepse mendoj se nëse ka diçka për të diskutuar, Kryeministri mund të vijë kur të dojë në studio. Për këtë çështje flas për problemet e AKSH-së, Ballukut, akuzat e Ahmetajt dhe shumë të tjera. Këto janë probleme reale, për të cilat Kryeministri duhet të japë llogari. Nga debati i të enjtes ka kapur një detaj. Ministrat dhe drejtuesit e lartë lokalë të PS-së kanë qenë në Tokio, SHBA dhe Francë, ndërkohë që dilnin live. Veliaj, po ashtu, ka qenë “live” kur u arrestua. Dhe kjo do të mjaftonte. Një tjetër ministre ka qenë në Vjenë, Londër e Abu Dabi kur transmetonte kronikat, ajo e Vjenës, të shtunën mbasdite. Madje, një kronikë transmetohej ndërkohë që ishte në avion bashkë me Kryeministrin për vizitë pune. 

Një tjetër ministre ka qenë në Bari, po gjatë kohës që ishte live. Kjo nuk ka rëndësi për vendndodhjen, mund të kenë qenë në zyrë apo në shtëpi ndërkohë që ndodhte gjithçka. Problemi nuk është ku ishin, por fakti që ministrat shqiptarë prej vitesh kanë gjetur një stil skandaloz, unik në botë, krahasues vetëm me Kim Jong Unin e Koresë së Veriut. Bëjnë muhabet me drejtorët para kamerave, në shëtitje politike, pa dhënë llogari për problemet. Shfaqen në inaugurime, por heshtin kur ka akuza. Nuk kanë kurajo t’i përgjigjen shtypit, por kanë kënaqësinë t’i vendosin epitete vetë Kryeministrit. Nëse Kryeministri gjen një rast tjetër në Europë ku ministrat bëjnë muhabet në TV me drejtorët, atëherë ka të drejtë. Por kjo është MADE IN ALBANIA! Për turp! Nuk ka asnjë përgjigje tjetër derisa Kryeministri të ketë kurajo të vijë në studio… me panelin që e di vetë”,shkruan Fevziu, duke ripërsëritur ftesën e tij të mëparshme se kreu i qeverisë mund të vijë në studion e “Opinion” në Tv Klan për ballafaqim. Sigurisht me katër panelistët që kanë qenë në emisionin e së enjtes së shkuar, 8 janar.

Ndërkohë, më herët, kryeministri i bëri apel që të kërkojë falje. Sipas kreut të qeverisë, Fevziu gënjeu kur tha se “kishte fakte që 7 ministra shkonin në udhëtime private jashtë vendit dhe linin kasetat nëpër televizione sikur janë në punë”.

Gjithçka nisi me kritikën që Fevziu u bëri publikisht ministrave pas situatës së jashtëzakonshme me përmbytjet, duke theksuar se “ata nuk japin llogari para mediave dhe qytetarëve”.

Ky moment u pasua me reagimin e menjëhershëm të Ramës. Ai i përmendi udhëtimet personale Fevziut dhe kërkoi prova për deklaratat e tij. Gazetari nuk vonoi me përgjigjen virtuale, duke e qartësuar se “jetën e tij e bën si të dojë” dhe duke e ftuar kryeministrin të përballet në studio, bashkë me katër panelistë.

LEXONI EDHE: