Arbëreshët gjithnjë e më shumë janë duke forcuar lidhjet me shtetin amë. Së fundi kryeqytetin e ka vizituar nënkryetari i Këshillit të Komunës se Potencës, Antonio Viligante, i cili shprehet krenar për origjinën e tij shqiptarE.
"Duke qenë se vij nga Italia dhe kam origjinë shqiptare kam pasur mundësi të shoh disa ‘sekuenca’ të Shqipërisë. Vihet re një dëshirë e madhe për emancipim, ndaj përgëzoj komunitetin shqiptar, i cili në pak vite ka nxjerrë në pah idenë e zhvillimit të territorit dhe po ashtu idenë e riorganizimit sipas parametrave europiane. Shoh një qasje drejt hapësirave të gjelbra, ku mund të pedalohet, gjë e cila është për t’u përshëndetur",- tha Viligante.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë takimit diskutoi mbi krijimin e një axhende të përbashkët për aktivitetet kulturore me arbëreshët. Në 100 vjetorin e kryeqytetit është propozuar krijimi i një kalendarit të përbashkët me arbëreshët. Veliaj ka premtuar gjithashtu dhe krijimin e një shtëpie muze.
"Jam shumë i lumtur që miku ynë nga Bashkia e Potencës është këtu sot sepse në Bazilikatë janë rreth 5 komuna arbëreshe. Do të doja shumë që në 100 vjetorin e Tiranës si kryeqytet i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i Shqipërisë, të fillonim punën për një kalendar të përbashkët, ku me miqtë tanë arbëreshë të kemi mundësi të tregojmë se vërtet mund të kemi qenë fizikisht të ndarë, por shpirtërisht dhe kulturalisht jemi gjithmonë pranë. Një ide e shkëlqyer është gjetja e një shtëpie muze për arbëreshët, siç kemi bërë me Shtëpinë e Gjetheve, BunkArtin ose Shtëpinë Kadare, që të përfaqësojë mbi 30 komuna, të cilat më shumë sforco dhe me shumë entuziazëm mbajnë gjallë kulturën tonë. Le ta kemi edhe këtu një shtëpi të tyre, edhe si një kujtesë të përditshme të gjymtyrëve tona që janë në anën tjetër të Adriatikut.",- tha Veliaj.
Vetëm pak ditë më parë në Itali u organizua edicioni i 9 i "Miss Arbëresha", ku vajzat sfiluan me veshje tradicionale.





