Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Prefekti i Tiranës, Admir Abrija, inspektoi përfundimin e projektit në Krrabë dhe theksoi se ky ishte një investim i munguar prej vitesh dhe që i shërben 800 banorëve të këtij fshati.

Kryebashkiaku theksoi se krahas investimeve në infrastrukturën rrugore, Bashkia e Tiranës po i kushton një vëmendje të madhe edhe transportit publik. Ndaj, ai dha lajmin për të gjithë qytetarët e Tiranës, se shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të nisë testimin se si do të funksionojnë mjetet elektrike të transportit publik.

“Po investojmë tek rrugët, por edhe tek mjetet e reja të transportit. Sapo kemi konfirmuar që këtë vjeshtë Tirana të jetë qyteti ku do të testojmë autobusët elektrikë për herë të parë, për të parë se si përgjigjen me parametrat e rrugëve të Tiranës, të motit, të temperaturës dhe të distancave të linjave tona. Me të kaluar me sukses periudhën e testimit do të bëjmë porositë për t’u siguruar që Tirana është avangardë në Evropën Juglindore, kur vjen puna edhe tek cilësia e transportit, por sigurisht edhe tek infrastruktura që na mundëson transporti”, bëri të ditur Veliaj.