1 maj 2015 – Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj e ka nisur egër fushatën. Vetëm gjatë ditës së sotme ai zhvilloi dy takime njëri pas tjetrit me grupe qytetarësh. Në njërën prej tyre ai ironizoi pas Bashës, edhe presidentin Bujar Nishani, i cili zhvilloi sot një vizitë në qendrën kulturore “ASA”, e inaguruar pak ditë më parë nga ish-ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. Sipas “Newsbomb”, kjo qendër është kthyer në një përplasje të vazhdueshme midis Bashkisë së Tiranës dhe ministrisë, për shkak se ai ambient përpara se të kthehej në një qendër rinore me iniciativën e Veliajt, ishte një klub striptizmi. “Dua të falenderoj presidentin Nishani për vizitën që ka zhvilluar sot në qendrën rinore. Para dy ditësh jam akuzuar nga SHQUP-i si person i inkriminuar për shkak të ndërtimit të asaj qendre rinore. Ky ishte akti im kriminal. Më vjen mirë që presidenti vajti atje sepse gjërat e bukura nuk i mohon dot. Ne socialistët akuzohemi se bëjmë gjëra të bukura, por këta nuk u rezistojnë dot”, është shprehur Veliaj.