TIRANE, 16 mars 2013 – Ditën e sotme, Sekretari për Rininë dhe Emigracionin në PS, Erion Veliaj deklaroi se zhgënjimi i të rinjve dhe papunësia e tyre është arsyeja e dytë pse nuk duhet votuar kryeministri aktual Sali Berisha.
Në një deklaratë për mediat, në vijim të fushatës së nisur dje nga deputeti Saimir Tahiri për 100 arsyet se përse nuk duhet votuar Berisha, i cili që dje sipas Tahirit nis numërimin e 100 ditëve të fundit në pushtet, Veliaj është ndalur sot tek rinia dhe problemet me të cilat përballet ajo.
Sipas tij, një në tre të rinj, sot janë të papunë dhe vuajnë papunësinë pavarësisht arsimimit që kanë.
“Kjo është një arsye pse nuk duhet votuar Berisha. Nëse të gënjejnë një herë është faji i atij që të gënjen, nëse të gënjejnë pafundësisht herë, si ka bërë Berisha për 22 vjet atëherë është faji ynë. Të mos e lemë të na gënjejë më”- ka thënë ai.