Atë që bashkia nuk e bëri dot në 5 vite për nismën ‘Tirana pa makina’, u bë në 5 javë nga situata e COVID-19 duke pastruar ndjeshëm ajrin”. Ky ishte mesazhi i Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj në një  intervistë për emisionin “Repolitix”. Veliaj tha se kjo situatë krijoi një qytet më të pastër dhe ishte treguesi më i mirë se shkaku kryesor i ndotjes së ajrit ishin makinat. Për këtë sapo situata t’i kthehet normalitetit, tha Veliaj do të sanksionohet edhe fundjava pa makina në Tiranë, që do të jetë në dobi të shëndeti tonë dhe fëmijëve tanë.

“Në Tiranë bëhen 800 mijë segmente me makina në ditë dhe 400 mijë prej tyre janë distanca të shkurtra, më pak se 1 kilometër në dyqane, farmaci, apo parukeri që mund ta bëni shumë mirë në këmbë ose biçikletë. Kemi kuptuar se stili  i jetesës mund të përshtatet me mirë me këtë dashuri për natyrën.” tha Veliaj.

Veliaj sqaroi edhe lajmin e rëndë të publikuar në disa media online, se bashkia parashikon të vdesin nga COVID-19, 56 bebe deri në 1 vjeç. Bëhet fjalë për një tenderin nga Agjencia e Shërbimeve Funerale për blerjen e 136 arkivoleve, ku ndër të tjera thuhet edhe përballimin e COVID-19. Me tone të ashpra duke e cilësuar edhe fyese për jetën dhe familjarët që humbin të afërmit për shkak të virusit,  Veliaj i cilësoi ‘lajme nga pronarë që duan t’i vendosin gjoba dhe godasin bashkinë për të përfituar tenderë’.

Veliaj sqaroi se bashkia ndër vite ka  mbuluar shërbimet funerale të endacakëve apo njerëzve të vetmuar, bebeve që lindin pa jetë dhe jetëve të humbura si pasojë e fatkeqësisë natyrore si tërmeti apo edhe situata e pandemisë dhe në tender përfshihen të gjitha këto dhe pandemia COVID-19, si një përgatitje në situatë lufte ku sjell me vetë dhe të papritura.

Kryebashkiaku iu përgjigj dhe akuzave të opozitës apo vetë kreut të PD, Lulzim Basha se në këtë situatë pandemi nuk ka dhënë një qese ndihmë për familjet në nevojë dhe nuk është duke humbur pikë gjithmonë e më shumë.