Problemet për administrimin e pallateve do të marrin zgjidhje shumë shpejt, Bashkia e Tiranës ka nisur ta zbatojë me sukses ligjin “Për Administrimin e Bashkëpronësisë në Ndërtesat e Banimit” dhe një numër i madh pallatesh në kryeqytet i kanë zgjedhur tashmë asambletë dhe administratorët. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prezantoi dje pasdite administratorët e zgjedhur falë këtij procesi të nisur pak muaj më parë dhe nënvizoi se janë gati të fillojnë punë për t’i dhënë zgjidhje problemeve në komunitet.

“Në Bashkinë e Tiranës kemi nisur të administrojmë asetet publike që të mos degjenerojnë, ashtu besoj që ka ardhur koha që ky projekt fantastik të finalizohet me 1261 asamble dhe 1147 administratorë pallatesh, të cilët janë gati të fillojnë punën. Arsyeja pse e them këtë është se prej kohësh e kemi pasur këtë anomali në Tiranë. Unë e di që shumica e njerëzve në Tiranë e respektojnë ligjin dhe nuk bëjnë pis, por një përqindje e vogël e bën sepse plehrat nuk na i sjellin armiqtë nga jashtë”, tha kryetari Veliaj.

Ai u shpreh se ky është një proces i domosdoshëm pasi është e vetmja rrugë për të administruar pallatet dhe të gjitha shqetësimet që kanë sot banorët. “Deri më sot secili banor priste që t’i vinte në lagje, kryeministri, kryetari i Bashkisë për t’i kërkuar zgjidhjen e problemit. Nuk ia dalim dot, Tirana ka 5000 pallate, askush s’mund të merret vetë personalisht, ndaj sot po shkojmë në një proces më të sofistikuar. Kjo nuk është një komandë e Bashkisë për të krijuar më shumë burokraci, por një mënyrë se si shumë prej këtyre banaliteteve, gjërave të vogla që na stresojnë, mund të zgjidhen në lagje”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se administratorët do të kenë kompetenca jo vetëm të koordinojnë marrëdhëniet mes banorëve për mirëmbajtjen e pallatit, por edhe të marrin masa penalizuese ndaj atyre që nuk duan të zbatojnë rregullat e përbashkëta të jetesës në komunitet. “Unë them se fuqizimi i administratorit me pushtetin që të vërë gjobë, pra të ketë një titull ekzekutiv me të cilin nëse s’paguhet, fillon kamatë vonesa e nëse nuk paguhet shkojmë në gjykatë e në përmbarim, i bllokojmë llogarinë bankare, është ndoshta diçka radikale, por e nevojshme, për atë përqindje të vogël të ‘drurëve të shtrembër’ që secili prej nesh i ka në lagjen e tij”, theksoi ai.

Veliaj theksoi se paralelisht me këtë proces, për të inkurajuar banorët që të organizohen dhe të zgjedhin administratorin dhe asamblenë e tyre drejtuese, Bashkia ka vendosur në dispozicion fondin e komuniteteve që do u vijë në ndihmë banorëve për të rikonstruktuar apo mirëmbajtur pallatin e tyre. “Për herë të parë kemi vënë një fond 200 milionë lekë, ku i themi banorëve, nuk të pëlqen fasada, nuk ke eficencë energjetike sepse të fut lagështirë, atëherë mund të financojmë projekte të efiçencës energjetike, veshje me kapotë, rregullim tarracash, panele diellore, lyerje fasadash, lulishte poshtë pallatit, sistemime të terrenit, por me një kusht: Zgjidh administratorin dhe eja merr 50% të fondit, si e vetmja mënyrë që të kemi mundësi t’i themi dikujt bashkëpuno”, nënvizoi Veliaj.

Ai ka ftuar administratorët e rinj që të aplikojnë pranë Bashkisë së Tiranës, ndërsa banorët e tjerë të Tiranës që të zgjedhin sa më parë Asamblenë dhe administratorin e pallatit. “Sot, ne kemi filluar me aplikimet e para. Bashkia është jashtëzakonisht efiçiente, çdo fund muaji do të deklarojmë fituesit e atij muaji dhe do disbursojmë në numrin e llogarisë së pallatit tuaj menjëherë fondin e administrimit të pallatit për të bërë investimin përkatës. Ndaj, ftesa ime për 3000 të tjerët që ende s’kanë filluar këtë process është nxitoni dh përdoreni verën për një aktivitet të dobishëm, zgjidhni kryesinë, administratorin e pallatit dhe Bashkia menjëherë jep 50% të fondit për nevojat tuaja”, theksoi Veliaj.