14 dhjetor 2013- Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Erion Veliaj, ka deklaruar se qeveria do të alokojë 18 milionë dollarë brenda muajit dhjetor, në mënyrë që të shlyejë pagesat për personat me aftësi të kufizuar. Gjithashtu Veliaj tha se në janar do të këtë rikomisionim për çdo person me aftësi të kufizuar, pasi janë evidentuar abuzime të medha.

"Kemi marrë një vendim të vështirë për t'i hequr nga një fushë tjetër dhe për t'i sjellë në këtë fushë, duke besuar në fakt se nevojtarët më të mëdhenj sot në Shqipëri janë këta njerëz. Bëhet fjalë për 18 milionë dollarë, që janë pagesa 100 për qind e aftësisë së kufizuar, e ndihmës ekonomike, e atyre që asistojnë personat me aftësi të kufizuar dhe pagesën higjieno-sanitare për njerëzit me aftësi të kufizuar.

Kemi raste, ku njerëz vetëm se kanë një palë syze, deklarojnë që janë të verbër të plotë dhe duke qenë se ligji të mundëson se po vazhdove shkollën ke pagesë të trefishtë, vazhdojnë shkolla, universitete, master dhe doktoratura fiktive dhe paratë vërshojnë lumë. Por ky nuk është shtet që ka luks për humbje të tilla. Kemi nisur punën për pastrimin e skemës. Gjatë vitit tjetër do të bëjmë rikomisionimin e çdo personi që merr pagesë të aftësisë së kufizuar", u shpreh Veliaj.