Këndet e lojërave dhe hapësirat shlodhëse do të jenë në qendër të vëmendjes së bashkisë së Tiranës edhe këtë vit.
Tashmë ka përfunduar rikualifikimi i një tjetër hapësire në një nga lagjet më të vjetra në kryeqytet, pranë zonës së njohur si ish-restorant Durrësi.
Kryebashkiaku Veliaj inspektoi këndin e ri, ku shprehu angazhimin që edhe në këtë mandat të dytë do të vijojë puna me investime të tilla.
“Aty ku vë dorë Bashkia e Tiranës, jo vetëm që del në dritë, jo vetëm që është bërë më e pastër, por vjen jeta. Kur kemi kaluar në këto lagje, thonë s’ka kalamaj, por kur ndërtohet një kënd lojërash, krejt papritur dalin me qindra fëmijë. Shumë hapësira më përpara kanë qenë të zaptuara, me ferra, ose me kioska”, tha ai.
Ndërsa Teatri i ri Kombëtar, konsiderohet nga Veliaj si një garanci për të ardhmen.
“Kjo është po ashtu e njëjta arsye pse edhe tek debati që kemi për investime në Tiranë, qoftë investimet në zgjerimin e bulevardit, qoftë zgjerimi i Lanës, bëhet për të krijuar Tiranën e të ardhmes. Tirana e së ardhmes nuk do vetëm rrugë, sheshe, asfalt, Tirana e së ardhmes do edhe kulturë. Kjo do të thotë që Tirana e së ardhmes do edhe një teatër të ri. Teatri do të bëhet, ky është një angazhim edhe një përkushtim i pazëvendësueshëm e i panegociueshëm.
Të gjithë ata që mundohen të bllokojnë këtë proces më kujtojnë se janë i njëjti grup që kanë qenë edhe tek lodrat te liqeni, edhe te Pazari i Ri, edhe kur kemi ndërtuar shkollat, edhe kur ndërtuam bulevardin, edhe kur punuam për zgjatimin e Lanës, edhe kur bëmë Bulevardin e Kasharit. Pra, është i njëjti grup i cili shëtit dhe thotë mos prek këtë, mos prek atë”, u shpreh Veliaj.





