Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në manifestimin e mbajtur sot në kryeqytet në mbështetje të Ukrainës i ka bërë thirrje diplomatëve rusë në Tiranë që të mos jenë në shërbim të një regjimi gjakatar që urdhëron krime të tmerrshme.
Veliaj tha se është krenar për praninë dhe deklaratat e të rinjve dhe se Tirana tregoi se është më europiane se kurrë më parë.
“Ne kemi çuna dhe goca me ndërgjegje. Mezi pres që këtë bashkim, këtë aktivizim ta shohim përditë. Heshtja është konfirmim që ajo që po ndodh është ok. Fakti që sot Tirana është mbledhur dhe përpara ambasadës ruse, tregon që ky qytet mban një qëndrim deri sa kjo luftë të mbarojë.
Kemi një derë të hapur, një zemër të hapur siç do ta tregojmë për popullin e Ukrainës për sa kohë të jetë nevoja. Jam shumë krenar për miqtë tanë ndërkombëtarë që jetojnë në Tiranë. Nuk jemi këtu për të bërë presion ndaj diplomatëve rusë.
Është momenti për të bërë një akt dinjitoz dhe për të lënë shërbimin diplomatik ndaj një qeverie gjakatare, ndaj një barbarie. Thirrja për diplomatët rusë, ky është momenti që ata të thonë ‘never again’, kurrë më, nuk mund të jemi në shërbim të një regjimi gjakatar.
Në këtë det njerëzish, Tirana është më europiane se kurrë më parë, jam shumë krenar për secilin prej jush. Në një botë me Putinë, zgjidhni të jeni Zelensky”, tha Veliaj.





