Pavarësisht se pjesa e sipërme e rrugës qëndron e bllokuar me vendim gjykate, punimet në pjesën tjetër të sheshit kanë vijuar me ritme shumë të larta.
Punimet nëntokësore pothuajse janë mbyllur, ndërsa është hedhur edhe baza e punimeve mbitokësore nga firma e cila po punon në disa fronte njëkohësisht.
Nga ajo çfarë shihet në terren punimet janë duke përfunduar për tunelin nëntokësor, i cili nis nga Banka Tregtare e përfundon para Torrës Veneciane.
Punimet po zhvillohen edhe në pjesën e sipërme të sheshit para portit të Durrësit, ndërsa të bllokuara janë në pjesën e sipërme të rrugës nga Torra deri tek kompleksi "Fly".
Synimi i bashkisë është që punimet mbitokësore e të tunelit të mbyllen para mesit të muajit qershor që përkon me zgjedhjet, por njëkohësisht edhe me sezonin veror në Durrës.
Këto punime kanë sjellë mjaft vështirësi në qarkullimin e mjeteve në këtë zonë e cila mbetet më e frekuentuara nga qytetarët dhe nga turistët që vizitojnë qytetin e Durrësit.
Mjaft debate hapi ndërtimi i këtij sheshi, pasi shoqëria civile protestoi disa herë me deklaratat se është duke u shkatërruar nëntoka dhe pasuria arkeologjike, por prej disa javësh zërat e shoqërisë civile janë fashitur dhe tashmë pritet një vendim i gjykatës së Apelit për pjësën e sipërme të rrugës, aty ku u zbulua një godinë e periudhës osmane në fillim të këtij viti, e ku është parashikuar ndërtimi i këmbëve të “Velierës” sipas projektit fillestar.
K.H.