Viti 2018, apo më mirë muajt e fundit të tij, ishin më të vështirët në karrierën politike të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Ndërsa po shkonte i qetë drejt fundit të mandatit të tretë të tij, duke mbajtur gjatë gjithë këtyre viteve një profil deri diku të ulët publik, për herë të parë, për një muaj me rradhë, Dako u gjend në qendër të vëmendjes mediatike, të opinionit publik dhe të sulmeve të opozitës. Shkak u bënë rrjedhja e disa dokumenteve të dosjes së prokurorisë, për të cilat opozita kishte folur dhe kohë më parë, e ku kryebashkiaku ishte përgjuar teksa fliste në telefon me një nga të arrestuarit e grupit Avdylaj nga Shijaku.
Brenda një kohe shumë të shkurtër, Dako u bë kryefjalë e ditës dhe për këtë një meritë të veçantë pati edhe vetë, pasi si për t’i hedhur më shumë benzinë zjarrit bëri disa deklarata të forta në emisionin “Opinion”, të cilat u kthyen në meme dhe bënë xhiron e rrjeteve sociale.
“Unë jam Superman”, “I kam duart akullore” etj ishin disa nga perlat e kryebashkiakut të Durrësit, të cilat i vazhdoi me disa postime në rrjetet sociale si ato për “toçin Lul Basha” apo për deputetët e tjerë të PD-së, të cilëve u komunikoi përmes Facebook-ut se do të përballeshin bashkë në gjykatë, të akuzuar për shpifje. E më pas gjithçka kaloi në heshtje, sulmet nga opozita ndalën, sepse vëmendja u përqendrua në të tjera çështje abuzive, që për hir të së vërtetës nuk i kanë munguar aspak mandatit të dytë qeverisës së Ramës.
Dhe Dako, për të cilin gojët e liga u shprehën se i kushtoi postin ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj, vazhdoi normalisht punën e tij të përditshme si kryebashkiaku i Durrësit. Si për ironi të fatit, në ditët e tij më të vështira të karrierës politike, Dako duket se gjeti ‘mbështetjen’ e opozitës në Durrës. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku do të diskutohej projekt-buxheti i vitit 2019, e ku Dako mungoi sepse do të shfaqej në emisionin “Opinion”, këshilltarët e PD-së dhe LSI-së bënë një opozitë shumë të vakët mbi projekt buxhetin e këtij viti, gjë që nuk kishte ndodhur vitet e kaluara. Ndërkohë, në mbledhjen e fundit të vitit 2018, më 20 dhjetor, këshilltarët e PS-së së bashku me disa të LSI-së me votat e tyre i dhanë dritën jeshile buxhetit të 2019, ndërsa PD bojkotoi mbledhjen e Këshillit Bashkiak pa dhënë asnjë shpjegim për mediet. Kështu bashkia dhe kryebashkiaku Dako morën “OK” për buxhetin elektoral, pasi nuk duhet të harrojmë se tashmë kemi hyrë në vitin e zgjedhjeve vendore, të planifikuara për t’u mbajtur në 30 qershor.
Muajt e parë të këtij viti në Durrës do të shoqërohen me dilemën se kush do të jenë rivalët që do të kandidojnë për postin e kryebashkiakut. Vetë Dako nuk e ka fshehur se nuk ndihet i lodhur për një mandat të katërt, por mund ta shohë veten edhe në një tjetër post drejtues. Në një kohë, kur Edi Rama nuk është shprehur ende për kandidatët e PS-së në zgjedhjet lokale, kandidimi sërish i Dakos nuk është një gjë e sigurt. I sigurtë është vetëm fakti se ai do të jetë edhe gjatë kësaj fushate koordinatori i saj në qarkun e Durrësit, fakt ky i pohuar nga vetë Dako, si për t’i bërë karshillëk rivalëve të tij politikë dhe për t’u kujtuar se përpara se të mendojnë të fitojnë në Durrës, cilido qoftë kandidati i PS, beteja e vërtetë është me të.
Kur mendon se kë ka përballë Dakon nuk duket shumë i tepruar ky karshillëk i tij. PD-ja e Durrësit e drejtuar nga Ferdinant Xhaferraj, përballë të cilit Dako kandidoi dhe fitoi mandatin e dytë në vitin 2011, duket larg së bëri një opozite të fortë, bindëse dhe shpresëngjallëse, për më tepër që qyteti bregdetar qeveriset mirë apo keq nga e majta që nga viti 2000, kur fitonte mjeku Miri Hoti. Nga ana tjetër, është LSI-ja e Lefter Kokës, që nuk dihet për kë do të votojë në qershor, pasi në mbledhjen e fundit për miratimin e buxhetit tregoi mjaft mirë se mund të bashkojë votat me PS-në.
Xhaferajt apo të rikthyerit sërish në PD, Gazmend Oketa, mund t’i duket i largët viti 2005, kur ata së bashku me të ndjerin Sokol Olldashi etj realizonin një fitore historike në Durrës duke dalë fitues në të gjitha përballjet në maxhoritar me rivalët e tyre nga PS. E gjithë kjo ishte para epokës Dako në PS-në e Durrësit. Nga një qark që ishte ngjyrosur i tëri blu në 2005, Dako arriti ta shndërronte në zgjedhjet e vitit 2017 në një qark ku triumfonte e majta, PS- 8 deputetë, LSI- 2 deputetë dhe PD vetëm 4, ku PD-ja mori rreth 9.500 vota më pak sesa në 2013, duke shënuar kështu rezultatin më të keq në shumë kohë. Ja vlen të kujtojmë këtu edhe diferencën e thellë të arritur nga vetë Dako në zgjedhjet e 2015 përballë rivales Grida Duma, ku diferenca e votave ishte +13700 në favor të Vangjushit. Dhe për këtë transformim të trendit të votuesve në Durrës, si në qytet, si në nivel qarku askush s’mund t’ia mohojë meritën kryebashkiakut shtatshkurtër.
Kështu që “Supermeni” i Durrësit, siç zgjodhi vetë ta cilësonte veten Dako, tani për tani mund të vazhdojë ta bëjë gjumin e qetë, sepse kushdo qoftë kandidati për kryebashkiak, fitorja duket në anën e tij. Edhe hetimet nga prokuroria për përgjimet e bëra publike dhe ato që ndodhen në dosjen hetimore tani për tani duket se kanë rënë në gjumë, prandaj Vangjushi mund të ndihet i patrazuar në rutinën e tij të përditshme.
I vetmi peng tani për tani i tij duket se është “Veliera” e papërfunduar në qendër të qytetit bregdetar. Projekti më ambicioz dhe më i kushtueshëm i qeverisjes së tij 12-vjeçare në Durrës, vepra që në përfundim të saj do të quhej nga të gjithë “Veliera” e Dakos. Përfundimi i projektit deri më tani mbetet peng i vendimit të gjyqësorit, që ende se ka thënë fjalën e fundit duke i lënë punimet në mes. E pikërisht prej gjyqësorit, Dako rrezikon të mos ‘shijojë’ veprën më të rëndësishme infrastrukturore të mandatit të tij të tretë. Një velë gjigande, e projektuar për të bashkëjetuar me Torrën Veneciane, muret antike të qytetit bregdetar apo rrënojat historike të zbuluara gjatë gërmimeve për Velierën, ruajtja e të cilave solli përplasjen mes shoqërisë civile dhe bashkisë dhe përfundimin e çështjes në gjyqësor.
Nëse Rama do të vendosë të mos ta rikandidojë për një mandat të katërt, gërshëra e përurimit do t’i mbetet Vangjushit në dorë, e do të kujtohet si Dako i “Velierës” së mbetur përgjysëm, i rrugëve kryesore të ngushtuara në maksimum, trotuareve të zgjeruara në kurriz të asfaltit, i qytetit ku gjetja e një vendi parkimi është kthyer në luks, betonizimit të shumë sipërfaqeve dikur të gjelbërta etj, etj.
Të paktën të mund ta përurojë vetë “Velierën” për t’u kujtuar për diçka me vlerë për qytetin që po e drejton prej 12 vitesh.
M.B.