Ashtu si në 2017 edhe në 2018, qytetarët durrsakë janë zgjuar nga viti i ri me të njëjtën pamje shëmtie.

Sheshi “Veliera” prej një viti qëndron “gërmadhë” betoni në mes të qytetit, ndërsa asnjë institucion deri tani nuk i ka dhënë zgjidhje. Sheshi që gjendet në zemrën e vjetër historike të qytetit bregdetar, është kthyer padiskutim në sheshin e shëmtuar për të gjithë durrsakët e turistët që kalojnë aty.

Më keq se kaq nuk bëhet, sidomos për ata që kanë shtëpinë në këtë zone, të cilët sapo hapin sytë në mëngjes ndeshin gërmadhën dhe betonin e lënë përgjysëm.

Gjykata Administrative ka nisur shqyrtimin në themel të akt-padisë për "shfuqizimin e projektit Veliera" të bërë nga Shoqëria Civile disa muaj më parë.

Në akt-padinë e Shoqërisë Civile, të hartuar nga Mirela Jorgo avokate dhe Sazan Guri ambientalist, kërkohet shfuqizimi i plotë i projektit “Veliera” me pretendimin se është dëmtuar zona arkeologjike A gjatë gërmimeve të kryera nga firma zbatuese, aty ku edhe dolën objektet arkeologjike.

Kjo gjykatë në shkurt të vitit 2017, ka bërë edhe pezullimin e projektit në zonën arkeologjke A.

Përfaqësuesi ligjor i bashkisë së Durrësit kërkoi kohë nga gjykata për të potësuar me ri-akt ekspertimi nga arkeologët për gërmimet e zbulura dhe punimet e kryera në shesh, kërkesë e cila u mor parasysh nga gjykata.

Ndërsa vetë kreu i bashkisë, Vangjush Dako u shpreh "E kemi paraqitur projektin e ndryshuar të sheshit që i hap rrugë punimeve të tij, por ka mbetur i bllokuar nga gjykata e cila ka dhënë  masë sigurie në gjykatë pezullimi e tij, ndërsa prokuroria e ka ende në hetim. Çështja nuk është gjykuar në themel e për aq kohë sa është në gjykatë nuk dihet se çfarë do të bëhet me Velierën", gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak në fund të nëntorit për këtë çështje.

Gjykata administrative deri tani nuk i ka dhënë zgjidhje me vendim kësaj çështjeje e cila pritet të merret në shqyrtim në seancën e radhës në 9 janar.