Sheshi “Veliera” ka mbetur pezull. Investimi shumë i rëndësishëm publik në këtë fillim viti qëndron si një monument dështimi i të gjithë shoqërisë. Shoqëria civile, bashkia, qytetarët grupet e interesit, askush nuk ka mundur të zhvillojë apo zhbëjë projektin, pavarësisht qëndrimeve të tyre kontradiktore mes palëve.

Vendimi i datës 13 shkurt të 2018-s i Gjykatës Administrative në Durrës, nuk ka pajtuar asnjë prej palëve. Ashtu si shoqëria civile, edhe bashkia e Durrësit e ka apeluar vendimin.

Por çështja gjyqësore në shkallën e dytë ka mbetur peng pasi prej muajsh as kjo gjykatë nuk ka dhënë ende një vendim final.

Në këtë fillim viti elektoral, “Veliera” është një prej projekteve që do të djegë si patate e nxehtë. Fakti që projekti me kosto të madhe ka hyrë në vitin e tretë i bllokuar, nuk është në favorin e kryebashkiakut por as edhe të qytetarëve. Në fillim ishte Gjykata Administrative në Durrës e cila për disa muaj në radhë nuk mori vendimin, ndërsa më pas nuk e zbardhi atë.

Në 2018-n, një tender prej 600 milionë lekësh u zhvillua si fazë e dytë e punimeve per riveshjen e tunelit, ndriçimin dhe asfaltimin e rrugës “Taulantia”.

Punimet në sheshin “Veliera” qëndrojnë të bllokuara prej 4 shkurtit të 2017-s.

K.H.