Në datat 9 dhe 10 prill 2025, veliera më e bukur në botë, “Amerigo Vespucci”, do të rikthehet në portin e Durrësit, pas tre vjetësh që nga vizita e saj e parë. Anija do të ankorohet në kalatat 4 dhe 5 të portit, dhe do të jetë e mundur për publikun të vizitojë velierën, ashtu siç ndodhi edhe në tetor të vitit 2022. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e kompanisë që menaxhon anijen.

“Amerigo Vespucci” është anija shkollë e marinës italiane dhe konsiderohet si veliera më e bukur në botë. Ajo është 100 metra e gjatë dhe është prodhuar në vitin 1931 në kantieret e Castellammare di Stabia, në Napoli. Ajo është një nga xhevahiret më të çmuara të marinës italiane dhe një mundësi e shkëlqyer për të parë nga afër një pjesë të historisë së marinës dhe të kulturës italiane.

Kushtet për Vizitorët

Nuk lejohet hyrja me këpucë të hapura ose me taka.

Nuk lejohet hyrja me kafshë, përveçse me qentë e vegjël që mund të mbahen vetëm në krah.

Nuk lejohet përdorimi i karrocave ose karrigeve për fëmijë.

“Mundësia për të vizituar këtë velierë ikonike është një mundësi e shkëlqyer për të mësuar më shumë rreth historisë detare dhe për të shijuar një eksperiencë të paharrueshme në bordin e “Amerigo Vespucci”!”, shkruhet ne faqen zyrtare te kompanise qe menaxhon velieren.