Hipotezat se shtëpia e cilit princ apo për çfarë ka shërbyer godina, rrënojat e së cilës po dalin në dritë në sheshin “Veliera” në Durrës, janë nga më të ndryshmet.

PROF. AS., Eduard Shehu, arkeolog i cili ndjek nga afër gërmimet, në një prononcim për “DurrësLajm” tha se edhe nuk është përcaktuar çfarë godine është dhe kujt periudhe i takon ndërtimi i saj, dhe konstrukti i zbuluar gjatë gërmimeve, por vetëm pasi të dokumentohet e plotë e të studiohen shtresëzimet, specialistët pritet të dalin me një konkluzion të saktë.

Përveç themeleve që sipas zërave të ndryshëm ka qenë një godinë administrate e doganës në kohën e Mesjetës, janë gjetur edhe dy topa që datojnë në periudha të ndryshme si dhe gjyle guri në formë sferike.

Të shumtë janë qytetarët durrsakë që për çdo ditë vijnë dhe vizitojnë kantierin e gërmimeve. Janë kuriozë dhe të interesuar për të parë se çfarë është zbuluar. Sipas qytetarëve, pasuria e nëntokës duhet të ruhet e të jetë e vizitueshme për të gjithë të apasionuarit pas arkeologjisë dhe për t’i shërbyer turizmit.

Një gjë është tërësisht e sigurt. Topi i parë i zbuluar është i njëjtë me tri topat që gjenden te busti i Mujo Ulqinakut pranë sheshit të ish-hotel “Vollgës”. Topat pranë bustit të Mujo Ulqinakut  janë model anglez, prodhim i vitit 1800, dhe sipas historianëve, janë blerë nga administrata osmane gjatë fillim shekullit 19, e janë vendosur në portën e Jallisë, që është edhe porta hyrëse e portit të Durrësit, i cili ka patur edhe fortifikimin e tij. 

Ndjekim prononcimet e arkeologut e të qytetarëve.

K.H.