TIRANE, 03 mars 2013- Pas vrasjes së ish-shefit të komisariatit nr.6 në kryeqytet, Dritan Lamaj dolën në pah edhe konfliktet mes këtij komisariati dhe biznesmenit Arben Frroku. Por ky komisariat nuk është i vetmi me të cilin familja Frroku ka pasur probleme, pasi në Gjykatën e Tiranës është regjistruar një tjetër çështje, ku dalin na pah problemet mes familjes Frroku dhe komisariatit nr.2. Ngjarja është shënuar në 18 shkurt të vitit të kaluar, ku patrulla e policisë 53/24 ka shkuar te lokal “Makuba”, pasi sipas patrullës kanë marrë njoftim nga salla operative se në këtë lokal kishte zhurma. “Kur kanë shkuar te lokal ‘Makuba’, patrulla ka kontaktuar me shtetasit Grand Frroku dhe Mark Froku, të cilëve u kanë kërkuar të shpjegonin se pse kishte zhurmë. Mark Frroku ka komunikuar me ta dhe u ka thënë se në atë lokal nuk kishte ndodhur asgjë dhe se nuk kishte kërkuar njeri ndihmë.
Efektivët blu kanë këmbëngulur që të futen në lokal, por Grand Frroku nuk i ka lejuar, duke i pyetur nëse kishin ndonjë mandat kontrolli për këtë rast. Në këtë kohë janë afruar edhe persona të tjerë, ndër ta edhe Ilir Lasku, Mark Frroku, Lek Toma e persona të tjerë. Si rezultat i kësaj ka filluar grindja midis patrullës së policisë dhe të pranishmëve, ku këta të fundit janë rrahur edhe me shufra hekuri”, – thuhet në dosjen e prokurorisë. I kontaktuar nga ‘GSH’, Mark Frroku e pranon konfliktin me punonjësit e këtij komisariati, por nuk pranon faktin se ai dhe vëllai i tij, Arbeni kanë kryer vrasje në shtetin belg.
Sipas një dokumenti të publikuar së fundmi, juve dhe vëllai juaj dyshoheni se në vitin 1997 keni kryer një vrasje në Belgjikë. Është e vërtetë kjo?
Nuk është e vërtetë. Unë dhe vëllai im nuk kemi kryer asnjë vrasje as tani, as më parë. Kjo mund të vërtetohet shumë lehtë nga autoritetet shqiptare, që mund të kontaktojnë me ato belge për të vërtetuar se ne nuk kemi kryer asnjë vrasje.
Po fakti që keni një tjetër konflikt me efektivët e policisë së komisariatit nr.2, është i vërtetë?
Po, është e vërtetë. Rreth një vit më parë, patrulla e policisë së këtij komisariati na ka keqtrajtuar mua dhe vëllain tim, pa na dhënë asnjë shpjegim. Çështja është duke u gjykuar në gjykatë.





