Cameron Twiss, 28 vjeçari australian që u nis pak më shumë se një muaj më parë nga Valbona drejt Thethit, nuk është gjetur ende. Ai u zhduk pa lënë asnjë gjurmë dhe për gjetjen e tij ka mbërritur në Shqipëri vëllai i tij, Stuart Twiss.

28 vjeçari Australian Cameron Twiss rezulton të jetë zhdukur mëngjesin e 13 Tetorit në mëngjes, kohë kur ai u nis nga bujtina ku kishte fjetur në Valbonë, me destinacion Thethin.

Lajmi për zhdukjen misterioze të tij ka bërë xhiron e mediave ndërkombëtare, ndërkohë që vëllai i tij Stuart Twiss, bën thirrje për ndihmë nga çdokush që mund të ketë informacion për vendndodhjen e tij.

Ai është shprehur se: “vëllai ka vizituar fillimisht Shkodrën, pastaj ka shkuar në Mal të Zi dhe është kthyer për të vizituar Valbonën. Pastaj ka vendosur të kalojë për në Theth. Është nisur me dy persona të tjerë. Ata kanë vazhduar për në Jezercë, ndërsa Cameron ka ndërruar drejtim për në Theth. Nga aty nuk ka më informacion. Unë erdha në Shqipëri, kontaktuam me policinë me grupin e kërkimit të cilët po na ndihmojnë, por nuk ka shumë informacion. Nuk dua të dal në përfundime apo konkluzione sepse kjo është puna e policisë.”, shprehet ai.

Ky nuk është rasti i parë që turistë të huaj humbasin në Alpet e vendit tonë, madje disa kanë humbur edhe jetën. Vazhdimisht turistët që vizitojnë këto zona këshillohen të marrin me vete guida të specializuara, por shpesh ata e anashkojnë një gjë të tillë.

Për banorët e zonës dhe guidat, Alpet janë të paparashikueshme dhe të panjohura, ku moti ndryshon vazhdimisht dhe ato mund të jenë kurthe të rrezikshme për ata që nuk e njohin zonën.