Vëllai i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Leonard Beleri, ka dhënë një intervistë për mediat greke, ku ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë Rama për të cilën thotë së nuk dëshiron të humbasë Himarën sepse ndryshe falsifikimet do të dalin në dritë.
“Qeveria dhe zoti Rama personalisht nuk duan të humbin bashkinë e Himarës. Sepse do të dalin shumë gjëra. Vazhdojnë të bëjnë falsifikime me tokat. Festa vazhdon”, – tha Leonard Beleri për ERT.
Ai iu referua posaçërisht qëndrimit të Jorgo Goros në detyrën e kryebashkiakut, i cili ndonëse u raportua se do të largohej, mohoi se ka dhënë dorëheqjen. “Zoti Goro nuk merr dot frymë nëse nuk merr leje nga zoti Rama”, tha Leonard Beleri, duke përsëritur sugjerimin e të vëllait që nëse nuk është vetë kryetar bashkie që është zgjedhur, atëherë dikush të marrë postin, një i zgjedhur tjetër nga fraksioni i tij.
“Fatkeqësisht kemi një bashkëbisedues jo të besueshëm”, tha vëllai i Fredi Belerit, duke vlerësuar se Goro do të qëndrojë në detyrën e tij “për aq kohë sa të dojë zoti Rama”.
Në fakt, ai tha se kryeministri i Shqipërisë preferon të sakrifikojë të ardhmen e popullit të tij dhe që Shqipëria të mos hyjë në BE, sesa të humbasë bashkinë e Himarës.
Madje ai vlerësoi se veprimet e tij janë për faktin se “falsifikimet janë bërë në nivelin më të lartë dhe fatkeqësisht shumë njerëz duhet të mbrohen nën ombrellën e zotit Rama”.