TIRANE, 12 korrik 2013 – Vëllai i drejtorit të ri të Shkollës së Magjistraturës, Neshat Fana, është dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 20 vite burg.

Shkëlqim Fana i datëlindjes 2.9.1964, po kryen dënimin në një burg të SHBA, pas një tentative vrasje.

Ai e ka kryer krimin në vitin 2000, ndërkohë që dënimi për të është dhënë në vitin 2002.

Akuza ndaj tij ishte vrasje në tentativë e rrezikshme e shkallës së dytë.

Sipas të dhënave të burgut, ai duhet të lirohet në fund të vitit 2017.

Ndërkohë në Tiranë, emërimi i vëllait të tij, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në krye të Shkollës së Magjistraturës, ka shkaktuar shumë debate në lidhje me rënien e kësaj shkolle në varësi politike.

Neshat Fana është ish- avokati i kryeministrit në detyrë, Sali Berisha.

Emërimi i tij u bë falë disa manovrave të qëllimshme të KLD-së së kontrolluar nga mazhoranca në largim.

Emërimi i tij pritet që të zyrtarizohet në mbledhjen më të afërt të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.