Partia Demokratike thotë përmes një njoftimi për shtyp, se Venezuela ka sjellë një kërkesë për ekstradimin e vëllait të deputetit socialist, Fatmir Xhafaj, pasi e akuzon për trafik ndërkombëtar të drogës. Partia Demokratike pretendon se kjo është një nga arsyet se pse mazhoranca tenton të kapë sistemin e drejtësisë.

“Faktet e fundit në lidhje me të kaluarën kriminale të vëllait të Fatmir Xhafës, të caktuar nga Edi Rama në krye të komisionit për Reformën në Drejtësi, nxjerrin në pah këmbënguljen në skemën për kapjen e prokurorëve dhe gjykatësve, e gjithë institucioneve përmes kunetërve e besnikëve të devotshëm.

Sidomos lajmi se Venezuela ka sjellë në Shqipëri një kërkesë ekstradimi për vëllanë e Xhafës në lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës, zbulon nevojën e tij për të qenë në krye të reformës e për të kapur me çdo kusht drejtësinë”, thuhet në këtë reagim të PD-së.

PD-ja shprehet më tej se vëllai i Xhafajt është në kërkim ndërkombëtar për trafik droge nga Venezuela në Spanjë e Itali

“Por Rama, Xhafaj bashkë me vëllanë në kërkim ndërkombëtar për trafik droge nga Venezuela në Spanjë e Itali, nuk ia dolën dot të nënshtronin drejtësinë dhe standardet e Venecias e përkushtimi i opozitës dogjën skemën e tyre mafioze. Pse hesht Xhafaj për faktet që kanë dalë në dritë? Pse nuk reagon Rama? E provuan duke fshehur kërkesën e Belgjikës për Frrokun dhe dështuan. Sa herë kanë ndërmend të qëndrojnë mbi ligjin për interesat e krimit? Tik-taku i kohës së bandës po ecën me shpejtësi. Po vjen ora e ligjit dhe e drejtësisë”, përfundon reagimi i PD-së.