Vëllai i këngëtares së njohur Shyhrete Behluli është një nga shqiptarët e parë nga Kosova që ka shprehur vullnetin për t’iu bashkuar ushtrisë ukrainase përballë pushtimit rus që vazhdon prej dy javësh.
Maliq Behluli ka deklaruar për mediat në Kosovë se arsyet që e kanë shtyrë të marrë këtë vendim janë thjesht humane për shkak të pamjeve që ka parë në media por edhe shpresa se pas kësaj lufte Ukraina mund ta përkrahë Kosovën si shtet duke qenë se i bashkon i njëjti fat.
“Quhem Maliq Behluli. Arsyet janë thjesht humane. Na kanë prekur këto pamje. Një armik i përbashkët. Krejt shtetet europiane e kanë përkrahur këtë luftë. Ashtu duam të solidarizohemi. Duke qenë se dihet arsyeja politike. Ndoshta dhe Ukraina do të lëvizë dhe do të na përkrahë si shtet”, u shpreh ai.
Pyetur nëse ka apo jo përvojë luftarake, ai thotë se ka qenë pjesë e shërbimit ushtarak, ndërsa shton se këto pamje që shohin sot në Ukrainë i kujtojnë luftën në Kosovë para disa vitesh. “Unë gjatë luftës së Kosovës kam qëndruar aty. Përvojën e shërbimit ushtarak e kam. Këto pamje na kujtojmë se çfarë kemi hequr ne në Kosovë”, tha Maliq Behluli.