DURRËS, 2 tetor 2014  –   Me muzikë, verë e biseda mes artistësh është prezantuar të martën në mbrëmje kalendari artistik i Teatrit Kombëtar. Në hollin e dekoruar me sende të përdorura për shfaqjet ndër vite, u mblodhën një grusht njerëzish, shumë prej të cilëve do jenë të angazhuar në sezonin që do të nisë. 
Prej tani e deri në maj të vitit që vjen drejtori tha se do jenë 7 premiera: "Liri ne Bremen" nga Rainer Werner Fassbinder, me regji të Sesilia Plasarit, "Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit" nga Peter Weiss, me regji të Arben Kumbaros, "Tartufi" nga Molieri, me regji të Erion Kames, "E shtunë, e dielë, e hënë" nga Eduardo de Filippo, me regji të Hervin Çulit, "Gruaja në Dritare" nga Artë Arifi, "Shtëpia pa Dritare" nga Saimir Gongo. Këto janë gjashtë, por si premierë e re u prezantua edhe shfaqja e Spiro Dunit, "Një udhëtim i gjatë drejt natës" e Eugen O'neil. Megjithatë, kjo pjesë premierën e pati muaj më parë, në maj, por do 'rijetë' premierë këtë fundjavë. 
Në fillim të mbrëmjes, Çuli, drejtor i TK, ftoi miken e tij (sikundër e cilësoi), ministren Mirela Kumbaro të mbante fjalën e rastit, mbasi e falenderoi për mbështetjen. Ministrja nga ana e saj falenderoi Çulin që i bëri "mukajet për t'i mbledhur, e jo vetëm për një gotë verë, por edhe për biseda mes miqsh". Ajo vuri në dukje se për herë të parë teatri vë në dispozicion një kalendar që sekush të zgjedhë pjesët që do. Mandej, fjalën e rimori Çuli, i cili dha një lajm të mirë. Këtë vit shfaqjet mund të ndiqen në një sallë të ngrohtë. Një kompani private ka ofruar 10 mijë litra naftë për ngrohje. 
Shfaqja e vëllait regjisor 
Në sezonin e ri, një ndër pjesët që do të vihen në skenë ka si regjisor të mirënjohurin Arben Kumbaro, vëllai i ministres aktuale të Kulturës, Mirela Kumbaro. Prej ditësh, në rrjetet sociale thuhet se për këtë shfaqje është dhënë 60% e buxhetit të TK-së. Siç dihet, regjisori Kumbaro është bërë i njohur para se e motra të bëhej ministre dhe ka vënë në skenë pjesë, po prapë para se e motra të bëhej ministre dhe jo domosdoshmërisht i duhet një ndihmë e tillë për të vënë një shfaqje në skenë. Megjithatë, pyetja nëse ka konflikt interesi në këtë çështje i tensionoi jo pak, Çulin dhe Kumbarot, për të mos thënë që ndokush pa arrogancë në përgjigje. 
I pari, drejtori Hervin Çuli gjatë përgjigjes e pa me vend të bënte lojë fjalësh mbi buxhetin e sezonit dhe atë vjetor, e mandej mbi shifrat. "Sezoni teatral dhe buxheti vjetor janë të ndryshëm (ai nuk dha shifra për asnjërin prej tyre). Shfaqja e Kumbaros është vitin tjetër, është në 2015-ën, pra është në sezonin teatral, 2014-2015 dhe i përket buxhetit të 2015-ës", tha Çuli. Pyetjes konkrete, nëse pjesa e Arben Kumbaros ka marrë 60% të buxhetit të Teatrit Kombëtar, ose të një sezoni të tij, Çuli iu përgjigj: "Jo, është spekulim. Është bërë në rrjetet sociale nga anonimë. Buxheti i saj është në raport të barabartë me dy vepra të tjera sa i takon kostos, me 'Tartufin' dhe 'Liri në Bremen'. Shfaqja ime ka koston më të ulët në TK", tha Çuli (i cili pos postit të drejtorit, do vërë në skenë edhe një pjesë). Pyetjet tjetër, se a ka një shifër se sa kushton shfaqja e Kumbaros, Çuli më në fund iu përgjigj: "Po, ka një preventiv që është i tillë: 'Tartufi' dhe 'Liri në Bremen' që është në repertorin e këtij viti ka një preventiv të detajuar: 30 milionë lekë. Shfaqja e Arben Kumbaros shkon në 30-32 milionë lekë". 
Drejtori i TK-së, në vijim të justifikimit për Kumbaron regjisor (vëllai i ministres dhe mikes së tij) tha se "8 vjet më parë, Arben Kumbaro, një nga regjisorët më të mirë shqiptarë ka vënë në skenë vetëm një vepër, 'Franku V'. Nëse ka njerëz që duan që ai të rrijë edhe 4 vjet të tjera pa punuar në TK, duke qenë një nga regjisorët më të mirë, ani se është vëllai i ministres së Kulturës, kjo jo vetëm që nuk është konflikt interesi, por është një nder për Teatrin Kombëtar që të kemi Arben Kumbaron si pjesë e repertorit", tha Çuli, që po t'i kishte thënë të gjitha këto me qetësi, do të kishte nxjerrë më mirë jo vetëm TK-në, por edhe dy Kumbarot. 

/marrë nga BalkanWeb/