Vëllai i kryeministrit Isa Mustafa kërkon azil në një nga vendet e Bashkimit Europian. Fillimisht lajmi u publikua në media dhe më pas vetë kryeministri e pranoi duke deklaruar se shkaku ishte sëmundja e tij e rëndë për të cilën nuk gjente dot shërim në Kosovë.
Ndërkohë në Tiranë në vjeshtën e vitit të kaluar i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Tiranë. Sipas tij, kjo është pasoja e mungesës së liberalizimit për qytetarët e Kosovës.
Reagimi i Mustafës në Facebook
“Qytetarë të nderuar,
Po lexoj në portale se vëllai im paska kërkuar azil për shkaqe shëndetësore jashtë vendit. Kjo është e vërtetë. Më vonë jam informuar nga familja e vëllai, se ai kishte kërkuar qëndrim jashtë vendit, për t'u shëruar nga një sëmundje e rëndë, për të cilën nuk gjente shërim në Kosovë. Në vjeshtën e vitit që shkoi ka pasur një ndërhyrje në Tiranë, tani është në Prishtinë, dhe gjendja e tij vazhdon të jetë mjaft e rëndë. Dyshoj se mund t’i ndihmoj as Vehbi Kajtazi me Insajderin, por mund t’ia rëndojë dhembjet e tij të mëdha.
Në valën e migrimeve, dua të jem i hapur me ju se, kanë shkuar edhe mesa e nipa të mi dhe janë kthyer. Kjo flet se edhe familjarët e mi ndajnë fatin me qytetarët e tjerë, hallexhi, të Kosovës. Prandaj si Kryeministër po angazhohem që të gjejmë zgjidhje, të liberalizojmë vizat, të tërheqim investime për të krijuar vende të punës, të përmirësojmë sistemin shëndetësor dhe që sa më pak qytetarët tanë të kenë nevojë të kërkojnë shërim në forma të tilla jashtë vendit.
Përgjegjësia ime është të punoj për të gjetur zgjidhje për qytetarët e mi. I vetëdijshëm për gjendjen e rëndë në të cilën jemi po punoj të intensifikoj kontaktet dhe lidhjet me vendet të cilat mund ta mbështesin zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës.”