Një operacion antidrogë u zhvillua mbrëmë në Tiranë nga policia e kryeqytetit, Durrësit, Fierit, ndërsa në pranga kanë rënë 7 persona. Mes të arrestuarve është edhe Pajtim Aga, vëllai i shefit të policisë së Dibrës, Robert Aga.
Ai është një emër i njohur për policinë, pasi është arrestuar edhe në vitin 2016 , pasi u kap me kokainë. Ndërsa drejtuesi i policisë Pajtim Aga është akuzuar nga opozita se është i lidhur me trafikant droge. Robert Aga është kallëzuar nga PD për blerje votash në zgjedhjet lokale në Dibër, ndërsa ka pasur akuza edhe se zotëron parcela kanabisi në Dibër.
Emri i Robert Agës u përfol tepër në vitin që kaloi, për shkak se emri i tij doli edhe në përgjimet e gazetës gjermane BILD, për blerjen e votave në bashkinë e Peshkopisë në votimet e shatorit të 2016-s. Shefi i policisë, Robert Aga dëgjohet duke folur me ish-ministrin Damian Gjiknuri, deputetin Xhemal Qefalia, Ulsi Manjën dhe ish-ministrin Saimir Tahiri, ku këtij të fundit i thoshte midis të tjerash: “Jam ushtari yt”.
Ndërsa vëllai i tij, Pajtim Aga njihet si biznesmen në qarkun e Dibrës, ku prej disa vitesh ka hapur një televizion kabllor, ndërsa problemet e tij me policisë janë të hershme. Më 25 shtator 2016, Pajtim Aga u arrestua nga Policia e Lezhës pasi iu gjetën 320 gramë kokainë. Dy vite më vonë, në 2018-n, Aga humbi në mënyrë misterioze djalin Mateon 21 vjeç u zhduk pa lënë gjurmë në Maqellarë, pak kilometra nga qyteti i Peshkopisë. Familjarët thanë në atë kohë djali mund të jetë rrëmbyer dhe që prej atij momenti nuk dihet asgjë për fatin e tij.





