Një 21-vjeçare në Palestinë u vra nga vëllai i saj, akt ky të cilin ai e ndërmori në emër të nderit, raportojnë mediet ndërkombëtare.
Israa Ghrayen u vra thjesht dhe vetëm se postoi në rrjetet sociale një video së bashku me të fejuarin e saj. Gjesti në fjalë u konsiderua ç’nderues, pasi me personin me të cilin e ndjera u shfaq në kamer, ende nuk ishte celebruar.
Tejmase i nevrikosur, si dhe i urdhëruar nga i ati, vëllai Ihab e dhunoi dhe torturoi të motrën, në shtëpinë e tyre në Bethlehem.
Teksa dhunohej, Israa u përpoq t’i shpëtonte vëllait, por fatkeqësisht ra nga kati i dytë i shtëpisë duke dëmtuar rëndë shtyllën kurrizore. Fill pas kësaj, e gjendur në spital, Israa u shpreh në Instagram se ishte e fortë dhe plot me dëshirë për të jetuar jetën.
“I gjykoftë Zoti ata që duan të më bëjnë keq”, u shpreh ajo.
Në një kohë kur Israa pritej të operohej dhe merrte veten, u sulmua sërish, për të dytën herë. Ndonëse familja vazhdon të mohojë se ka gisht në ngjarje, online u shpërndanë disa video ku viktima lëshonte klithma dhe kërkonte ndihmë, gjatë çasteve të fundit të jetës.
Aktualisht është shpërndarë me shpejtësi hashtag-u, #WeAreAllIsraah, ku njerëzit kërkojnë arrestimin e vëllait-vrasës.





