Vendimi për të mos i dhënë leje Aleksandër Muratajt të marrë pjesë në ceremoninë mortore të të vëllait, Admir Murataj, i cili u vra gjatë grabitjes në Rinas, është shoqëruar më tensione në burgun e sigurisë së lartë nr.313 në Tiranë.
Mësohet se miqtë e Aleksandër Muratajt janë rebeluar pas vendimit të Drejtësisë së Përgjithshme të Burgjeve për të mos i dhënë lejë për të qenë në varrimin e vëllait.
Ndërkohë paraditen e sotme, vetë Aleksandër Murataj, në një lidhje telefonike me Report TV, ka thënë se ka kërkuar që të jetë i pranishëm në ceremoninë që do zhvillohet në Tropojë (vendlindjen e tyre) pasi kishte vite pa e parë atë, ndërsa mohoi faktin se Admiri ishte organizatori ngjarjes.
"Kemi kryer procedurat për të marrë pjesë në varrim, por Drejtoria e Përgjithshme nuk na lejon. Kam vite që nuk e kam takuar vëllanë, kam 2 vite në burg. E kam parë vëllanë një muaj ose 2 muaj e gjysmë para se të arrestohej. Sekuestrimin e pasurisë e kanë bërë para se të më arrestonin mua. Di sa shoh nga lajmet për vëllanë tim. Që të quhesh organizatash dhe të vritesh me policisë ose me tjetrin, një që ka logjikë nuk e koncepton që një organizator të vritet me plumb dhe të lihet në rrugë. Në lajme kam parë që është vrarë, s’e di kush e ka vrarë. Korrupsioni dhe organizatorët janë prej aty ku flitet te Parlamenti deri të aeroporti. A ka mundësi që të shkosh të marrësh 10 mln euro pa të çuar dikush tjetër?. Nuk ka shanse. Dikush e ka çuar Admirin aty. Admiri nuk sheh filxhan, nuk ka pasur nga ta dijë që po transportoheshin para. Unë kam jetuar 23-vite në emigracion, akoma nuk kam gjetur të drejtën time. Kam bërë 2 vite burg dhe nuk jam pyetur njëherë. Dhe fotot qe keni nxjerr neper TV, nuk nxiren ato foto ashtu, eshte bir nene si ty e si une, nuk mund t’i nxirni ashtu."





