Të luash një kampionat Europian me fanellën e kombit tënd, është një ëndërr që ka çdo futbollist. Më shumë, me këtë fanellë mund të luash vetëm një kampionat botëror. Imagjinoni dot se çfarë emocionesh mund të kesh nëse luan një Europian edhe me vëllanë në një skuadër?!…Vetëm se, në një botë që çdo ditë e më shumë bëhet më e çuditshme, mund të ndodhë që vëllanë tënd dhe gjakun e gjakut tënd e gjen në fushën e lojës, në të njëjtin stadium. Por, çuditërisht, ka veshur një tjetër fanellë. Një ngjyrë tjetër. Në një botë si kjo e ditëve të sotme mund të ndodhë që dy vëllezër mund të sfidojnë njëri-tjetrin me kombëtare të ndryshme. Mund të ndodhë sepse historia e tyre i kalon dramat teatrale. Ata kanë kaluar një nga momentet më të dhimbshme në shekullin e kaluar në Europë, ose më mirë të themi prindërit e tyre. 

Graniti dhe Taulanti, dy vëllezër… Të rritur bashkë në një familje shqiptare me origjinë nga Kosova. Dy histori që bëhen bashkë në një vend, i cili në atë kohë u bë shpëtimtar për shumë familje. Po flas për Zvicrën. Pikërisht në Zvicër vëllezërit Xhaka u rritën, duke hedhur hapat e parë dhe më pas duke goditur një top. Në këtë mënyrë ia dolën të ishin këta që janë sot. Dy vëllezërit lindën me një vit diferencë nga njëri-tjetri. Prindërit e tyre nga Gjilani morën rrugën drejt Zvicrës. Pikërisht në Bazel, aty ku lindën, në vitin 1991 Taulanti dhe në 1992-shin Graniti. Të dy djelmoshat u bënë futbollistë premtues. Dy lojtarë që lënë në fushë shpirtin dhe zemrën e tyre. Vrapojnë si të çmendur, të dy. Graniti duket se ka bërë emër më shumë dhe ka një rol të përcaktuar në fushë, ndërsa Taulanti është një “xhol”. Vendose ku të duash, ai do të luajë njëlloj, me të njëjtën grintë. Në fundin e vitit 2012 vishnin fanellën e Bazelit. Bashkë kanë luajtur edhe me kombëtaret e moshave në Zvicër. Pastaj, rrugët e tyre ndahen. 

Graniti në vitin 2012 largohet drejt Gladbahut, ku spikat për zgjuarsinë në fushën e lojës. Taulanti, pas një aventure të shkurtër te Grasshopers, rikthehet të veshë fanellën kuqeblu të Bazelit. Mes të dyve, ai që arriti të fitonte një fanellë me Kombëtaren e madhe të Zvicrës ishte Graniti. Trajnerët thoshin se ishte më i fortë se Taulanti. Në vitin 2013, Taulanti i habit të gjithë. U lind në Zvicër, sigurisht, por në zemrën e tij fluturonte një shqiponjë. Fanellën e Kombëtares shqiptare Taulanti e veshi për herë të parë ndaj Portugalisë në 7 shtator të vitit 2014. Në vitin 2012, Taulanti nuk ishte në fushë, ndërsa Graniti i kishte luajtur dy ndeshje kundër Shqipërisë, në të cilat zemra i rrahu fort. Graniti ishte në fushë, por u duk sikur të mos ishte. Në atë kohë 19-vjeçar, në stadiumin e Luzernës kishte më shumë tifozë shqiptarë, ashtu siç fluturojnë gjithmonë me shqiponjat në çdo cep të botës. Sa herë prekte topin, për të kishte fërshëllima. Të forta madje. Me rezultatin 2-0 në favor të Zvicrës, Graniti kishte një mundësi të artë për ta shtyrë drejt rrjetës. Iu errësuan sytë përballë fanellës së Kombit të tij.

“Kishte momente kur nuk dija çfarë të bëja në fushën e lojës. Për shqiptarët ndoshta jam tradhtar, por unë ndihem shqiptar”, tha Graniti në fundin e ndeshjes. Vallë kush e mendon çfarë do t’i ndodhë këtë verë në Europian, kur përballë nuk do të ketë vetëm Kombin e tij, por edhe gjakun e tij. Do të ketë vëllanë e tij përpara syve të prindërve. Do të shihen qetësisht, do të shkëmbejnë shikime të sinqerta, sepse vetëm ata e kuptojnë njëri-tjetrin. Me siguri nuk do të jetë një ndeshje si gjithë të tjerat, por në fund… Ndoshta, përqafimi i tyre do të jetë më i bukuri që është dhënë ndonjëherë pas një ndeshjeje futbolli!