Më 2024, 23 vende anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) pritet të përmbushin apo të kalojnë objektivin për investimin e të paktën 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtje, krahasuar me vetëm tre shtete më 2014.
Udhëheqës të vendeve të NATO-s kanë parashikuar se shpenzimet financiare do të rriten, mes raportimeve se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do të kërkojë që vendet anëtare të shpenzojnë 5 për qind të PBB-së për mbrojtje.
Sipas të dhënave zyrtare të NATO-s, edhe Shqipëria e ka kaluar në 2024 shifrën prej 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, krahasuar me vitin 2014. Në vitin 2014 vendi ynë kishte derdhur 1.35% të shumës së PBB, ndërsa në vitin 2024 shifra është në 2.03%. nivelin më të lartë të rritjes e ka Polonia me 4.12% pasuar nga Estonia me 3.43% vijuar me SHBA-në me 3.38% etj.
Shifrat për vitin 2024 janë përllogaritur duke u bazuar në informacionet e raportuara nga ministritë e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s për pagesat që janë bërë apo që do të bëhen gjatë vitit fiskal. Islanda nuk është përfshirë, sepse nuk ka ushtri të rregullt.