TIRANE, 18 mars 2013- Presidenti i Republikes Bujar Nishani nis takimet me krerët e partive parlamentare për t’u konsultuar për plotësimin e vendeve vakante që do të krijohen në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.

Takimin e parë, kreu i shtetit e ka zhvilluar në presidencë me kryetarin e grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, ndërsa në orën 11:00 ai është takuar edhe me kreun e grupit socialist  Gramoz Ruçi.

Kreu i grupit demokrat Patozi është shprehur se në takim nuk janë janë propozuar emra për anëtarin e Gjykatës së Lartë, dhe as për Kushtetuesen.

Sipas tij, në takim është diskutuar për kriteret profesionale që duhet të kenë kandidatët si anëtarë për këto gjykata.

“Ne na intereson integriteti moral dhe profesional i anëtarve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Ne vlerësojmë praktikën që po konsolidon presidenti, duke u konsultuar me forcat politike. Kjo është në funksion të mirëfunksionimit të ndërsjelltë të institucioneve” është shprehur Patozi.

Gjithashtu presidenti Nishani do të takohet në orën 12:00 me kreun e grupit të LSI-së Lefter Koka, në orën 13:00 me kryetarin e PR-së Fatmir Mediu, në orën 14 me kreun e PBDNJ-it Vangjel Dule dhe në orën 15:00 me kryetarin e PDIU-së Shpërtim Idrizi.