Ka një vend ku gratë shtatzëna nuk sugjerohet që të shkojnë. Dhe ky është Florida në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Arsyeja është mjaft e fortë. Aty ka shpërthyer virusi Zika.
E thotë vetë guvernatori i Floridas, Rick Scott i cili ka konfirmuar se virusi Zika po përhapet në mënyrë aktive nga mushkonjat në plazhet e Majamit.
“Kemi identifikuar një vatër të re virusi që po gjen përhapje në Majami”,– tha z. Scott në një deklaratë për shtyp. Ai tha se bëhet fjalë për një rreze të paktën dy kilometra katrorë, por kjo shtrirje gjendet pikërisht në dendësinë e madhe të turistëve të Majamit.
Zyrtarisht janë identifikuar pesë persona me virusin Zika, dy prej tyre janë banorë të Majamit dhe të tjerët turistë. Nisur nga këto rrethana dhe nga fakti që sidomos rreziku është më i madh për gratë shtatzëna dhe për fëmijët e tyre, kryebashkiaku i Majamit ka apeluar që ato të rrijnë larg qytetit të tij për një periudhë të pacaktuar.





