Esmerald Balla, 30-vjeçari që vrau të atin 62-vjeçar në fshatin Shënavlash dhe trupin e të ndjerit e hodhi në një pus, nuk ka vepruar i vetëm.
Policia e Durrësit njoftoi sot se ka arrestuar 25-vjeçarin Edison Brahaj, mik i autorit të krimit, i cili dyshohet se e ka ndihmuar këtë të fundit të transportonte trupin e të atit, pasi e vrau.
Gjatë kontrollit në banesën e 25-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh, ndërsa mbi të riun rëndojnë 3 akuza për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.
Vrasja e 62-vjeçarit Enver Balla, ndodhi më 13 gusht, në afërsi të stanit të familjes, në arat e fshatit Shënavlash.
Sipas policisë së Durrësit, Esmeraldi, pasi është kofliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka vrarë atë, me armë zjarri tip pistoletë, e cila u gjet nga policia në një kanal.
Pas ngjarjes, Esmeraldi së bashku me mikun e tij 25-vjeçar e ka transportuar trupin e pajetë dhe e ka hedhur në pusin që ndodhet rreth 1 kilometër larg nga vendi i ngjarjes.
E gjithë ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti babë e bir për një shumë të konsiderueshme parash, rreth 7.5 milionë lekë të reja që ndodhej në kasafortën e shtëpisë.
Kasaforta është gjetur e hapur me sende të forta dhe djali i arrestuar akuzon babanë se ka shpenzuar paratë që ndodheshin në të.
Policia dhe prokuroria e Durrësit vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Ndërkohë familja e të ndjerit ka hapur dyert e mortit dhe pasditen e sotme, në orën 16.00 do të mbahet ceremonia mortore e 62-vjeçarit Enver Balla.
M.B.